Brenda 5 orësh kanë ndodhur tri aksidente me fatalitet në Prishtinë, Pejë e Podujevë, ku si pasojë ka mbetur të vdekur 5 persona.
Një aksident ka ndodhur në rrugën Llapnasellë-Graqanicë, ku një person ka vdekur dhe një është lënduar.
Ndërsa aksidenti tjetër ka ndodhur në rrugën që lidh fshatin Sfeqël me fshatin Shajkovc të Podujevës, ku kanë vdekur dy persona dhe një tjetër është lënduar. Autoritetet kanë filluar hetimet për të zbardhur shkaqet e këtyre aksidenteve tragjike
Këtë e ka konfirmuar për Dukagjinin zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti
“Sot rreth orës 16:30 kemi pranuar informatën se në rrugën Llapnasellë-Graqanicë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, dy automjete, të cilat kanë qenë në lëvizje. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar dy persona, një prej tyre nuk ka arritur të përballojnë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë.
Sot rreth orës 20:30 në rrugën që lidhë fshatin Sfeqël me fshatin Shajkovc të Podujevës, ka ndodhur një aksident trafiku, ku është përfshirë një veturë. Si pasojë e aksidentit tre persona kanë pësuar lëndime të rënda trupore. Dy nga personat e lënduar nuk kanë arritur të përballojnë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe të njëjtit kanë vdekur. Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje, ndërsa me hetimin për zbardhjen e shkaqeve të këtij vetaksidenti, po merren hetuesit nga njësiti i trafikut”, ka njoftuar Ahmeti.
Ndërkaq, në Ozdrim të Pejës gjatë mbrëmjes të së shtunë ka ndodhur një aksident, ky si pasojë dy këmbësorë kanë vdekur dhe një tjetër është lënduar rëndë.
Këmbësori i lënduar është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin e Pejës. Ndërkaq, shoferi është dërguar në stacionin policor në Pejë.
“Rreth orës 21:30, policia është informuar për një aksident që ka ndodhur në fshatin Ozdrim të Pejës. Në aksident janë përfshirë një veturë dhe tre këmbësorë. Si pasojë, dy nga këmbësorët kanë vdekur. Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor. Njëri nga këmbësorët që ka mbijetuar, është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin e Pejës. Vozitësi i Automjetit është në stacion policor në Pejë””, ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova.