E kanë traditë që çdo 6 maj të vijnë nga Shqipëria për një manifestim që këtë vit nuk kaloi pa zhurmë.
Një manifestim bektashian, përkatësisht një drekë në nder të Dervish Nezirit i bashkoi të hënën në këtë fushë afro dy metra larg tyrbes “Pulaj” në fshatin Babaj të Bokës të Gjakovës.
5 persona përfunduan të lënduar pas një mosmarrëveshje, në mesin e tyre një grua shtatzënë e një fëmijë.
E prezenca e ambulancave kishte alarmuar edhe banorët lokal.
“Janë mbledh ata nipat me shku me hanger drek dje edhe hëngrëm drekë, shkum në ship. Thanë që u ba qashtu, ishin pas përzi do t katunit me do t’Shqipërisë. Veç i pamë ambulancat tu shku te nalt, ma shumë sdi”, ka thënë Hasan Ritkofci.
Sipas Policisë së Gjakovës, motivi dyshohet të ketë qenë një mosmarrëveshje.
E nga spitali i kësaj komune thonë se dy nga pesë të lënduarit kishin lëndime serioze.
“Lëndime kanë marrë 5 persona, dy kanë qenë t lënduar me thikë. Njëri ka qenë në gjendje më të rëndë, i therrur në gjoks dhe në kofshën e djathtë. Është dërgu për trajtim më të thellë në QKUK ndërsa tjetri, i therrur në këmbën e mbajt është i hospitalizuar këtu. Tre të tjerët kanë qenë të lëndun me lëndime më të lehta, njëra ka qenë shtatzanë. Ka pas gërvishtje dhe lëndime në këmbë. Një fëmijë 2019, ka pas gërvishtje. Këta kanë qenë stabil”, ka thënë doktori, Ilir Hasanaj.
Nga Prokuroria thonë se të dyshuarit mbesin në arrati e në kërkim.
“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se nga ana e policisë është informuar prokurori kujdestar dhe është inicuar rast për veprën penale “Vrasje në tentativë”. Të dyshuarit janë në kërkim pasi që janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe gjenden në arrati, sipas udhëzimeve të prokurorit kujdestar, policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet për sigurimin e provave në këtë çështje penale”.
Çdo vit në këtë manifestim, policia ka plan operativ për mbarëvajtjen e rendit por që në vitet paraprake, nuk kanë hasur në probleme.