Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar Kosovën me rastin e pesëvjetorit të krijimit të ushtrisë.
Me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se ky përvjetor e gjen Kosovën të gatshme të shërbejë për paqe dhe siguri edhe përtej kufijve të vendit.
Sipas kreut të AAK-së, 14 dhjetori i 2018-s ishte ditë historike për vendin, ditë kur Kosova krijoi ushtrinë e vet, për t’u rreshtuar në krah me ushtritë e paqes, në krye me ShBA-në dhe NATO-n.
Ai është shprehur mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Kosovë, urime 5-vjetorin e Ushtrisë!. Sot, në përvjetorin e 5-të të krijimit të saj, Ushtria e Kosovës është plotësisht e gatshme të shërbejë për paqe dhe siguri edhe përtej kufijve të vendit tonë, si anëtare e NATO-s, që është edhe objektiv i yni madhor. Në këtë përvjetor, po e rikthej në vëmendjen tuaj një fjalë timen, nga zemra, ditën kur u formua Ushtria. Mirënjohës për jetë ShBA dhe Sekretarit Mattis!”, tha ai.
Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua më 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit, dokument që çoi drejt pavarësimit të Kosovës. Kjo Forcë është ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s, por misioni dhe kapacitetet e saj nuk përkuan me ambicien e institucioneve, që Kosova ta ketë ushtrinë e saj.
Pas përfundimit të konfliktit të armatosur të vitit 1999, në marrëveshje me NATO-n, ishin formuar Trupat Mbrojtëse të Kosovës, si forcë për emergjenca. Kjo Trupë më pas ishte shndërruar në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Ndërkaq, hapi tjetër, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ishte që kjo Forcë të transformohej në Forcat e Armatosura të Kosovës. Por, një hap i tillë nuk arriti të realizohet për shkak të pamundësisë së ndryshimeve kushtetuese, të cilat mund të bëhen vetëm me votën e deputetëve të komuniteteve pakicë në Kuvend, përkatësisht votat e deputetëve serbë.
Andaj, institucionet e Kosovës zgjodhën që shtimin e kapaciteteve ushtarake për Forcën e Sigurisë së Kosovës ta bëjnë përmes ligjeve, pa prekur edhe emrin e FSK-së.