Gjatë të premtes së 17 qershorit do të mbahet seanca ndaj të akuzuarve, Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebi Shatri dhe Besim Tahiri, për keqpërdorimin e detyrës zyrtare.
Në seancën e 4 majit, të akuzuarit për rastin e “53 milionë eurove” u deklaruan të pafajshëm në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Por, aktakuza nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ishte ngritur ndaj tyre për shkak të dyshimit se të pandehurit kishin kryer vepër penale.
Në aktin akuzues thuhet se të njëjtit, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, Statutin dhe Kodin e Sjelljes së KDNM-së dhe me kushtet e kontratës kanë nënshkruar marrëveshjen në emër të Ministrisë së Infrastrukturës si punëdhënës në njërën anë dhe ndërmarrjes së përbashkët ‘‘Bechtel&Enks’’ si kontraktor në anën tjetër, për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve nga 18 janari i vitit 2018-të siç ishte e përcaktuar në kontratën bazë, deri më 31 dhjetor 2019, saktësisht për 347 ditë të tjera, duke mos përcaktuar koston financiare, sipas betimit për drejtësi.
Pas zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, ky veprim ka lënë mundësinë hapur ku OE “Bechtel & Enka” më 27 nëntor të vitit 2017 të paraqesë pranë punëdhënësit kërkesën për pagesën e shumës shtesë në vlerë prej 63 milionë eurosh, e më pas kjo vlerë ka zbritur prej 53 milionë e 100 mijë eurosh.
Mundësia OE e ‘‘Bechtel&Enka’’ iu është lënë hapur në bazë të këtij veprimi që në vitin 2017 të paraqitet kërkesa për pagesën e shumës shtesë ‘‘Briefing Package’’ në vlerë prej 63 milionë eurosh në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, e cila kërkesë me pas ka zbritur në vlerën prej 53 milionë e 100 mijë eurosh.
Tutje thuhet se si pasojë e këtyre veprimeve të të pandehurve, e njëjta është aprovuar për pagesë nga Qeveria e Kosovës, shumë kjo e cila është në kundërshtim të plotë me opinionin e mbikëqyrësit të kontratës “Hill Internacional”, me ç’rast, si pasojë e veprimeve të të pandehurve, buxhetit të Kosovës, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38 milionë e 321 mijë e 346 euro.