Gjykata Themelore e Prizrenit e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar Agim Kopresh, nën akuzën për sulm ndaj ekipit të gazetës “Nacionale” në protestën kundër festivalit të filmit DokuFest.
Protesta e mbajtur më 11 gusht 2023, ishte “revoltë” ndaj performancës së mbajtur në këtë festival në përkrahje të komunitetit transgjinor.
Lexo këtë: Sulmohet fizikisht ekipi i Nacionales në protestën kundër DokuFestit në Prizren
Agim Kopresh në shqyrtimin fillestar ka pranuar fajësinë dhe ndaj tij u shqiptua dënimi me gjobë në shumën prej 1 mijë eurosh, ku do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.
Në këtë mënyrë i akuzuari obligohet të paguajë shumën e mbetur të dënimit prej 640 eurosh.
Ky vendim u mor të mërkurën nga gjykatësi i çështjes, Luan Berisha, raporton Kallxo.com.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri Agim Kopresh akuzohet për veprën penale të sulmit.
Në aktakuzë thuhet se Agim Kopresh, në sheshin “Shatërvan”, saktësisht përballë xhamisë “Sinan Pasha” në Prizren me dashje përdor forcën ndaj të dëmtuarve, Vullnet Krasmiqi dhe Arbër Latifi.
Tutje, thuhet se derisa i dëmtuari Vullnet Krasniqi në cilësinë e gazetarit ishte duke intervistuar qytetarët lidhur me protestën, pasi ia ofron mikrofonin të pandehurit Agim Kopresh me qëllim për ta intervistuar, i pandehuri në shenjë revolte e shtyn me duar të dëmtuarin dhe i drejtohet me fjalët “ik o pedofil se po të…”.
Pasi protestuesit bëjnë rezistencë aty afrohet edhe i pandehuri Agim Kopresh, i cili sërish e sulmon të dëmtuarin Vullnet Krasniqi duke e shtyrë me duar furishëm, e pastaj e sulmon edhe të dëmtuarin Arbër Latifi, i cili në atë moment ishte duke xhiruar me kamerë e të cilin e godet dy-tri herë në pjesën e pasme të qafës, por që nga ky sulm nuk kishin pësuar lëndime të dukshme trupore, sipas prokurorisë.
Me këtë, sipas prokurorisë, i njëjti ka kryer veprën penale sulmi.
Ndërkaq, i akuzuari i dytë, Enver Kabashi, nuk e ka pranuar fajësinë, për çka procedura ndaj tij është veçuar dhe do të vijojë më tej.
Protesta e mbajtur më 11 gusht 2023 ishte “revoltë” ndaj performancës së mbajtur në këtë festival në përkrahje të komunitetit transgjinor.
Gjatë kësaj proteste ishte sulmuar fizikisht edhe ekipi i gazetarëve të gazetës “Nacionale”, derisa KALLXO.com ka siguruar pamje kur një protestues tentonte t’i pengojë gazetarët që po raportonin nga protesta.