713 licenca për infermierë, janë lëshuar nga Oda e Infermierëve të Kosovës, përgjatë vitit 2023.
Kështu ka thënë kryetarja e OIK, Nexhmije Gori, në një interviste për EO, teksa ka thënë se arsyet e largimin janë pagat e ulëta dhe kushtet e punës.
“Në bazë të statistikave të cilat ne i posedojmë, viti 2021 ka pasur një rënie, natyrisht në bazë të analizave është shkak edhe pandemia. Rritja ka qenë në vitin 2022 që ka filluar dukshëm dhe kanë kërkuar për licenca paplastifikim 543 infermierë nga gjithë Kosova. Ndërsa në vitin 2023 ky numër është rritur qind për qind, do të thotë deri me datën 25 të muajit dhjetor 2023 kanë kërkuar 713 licenca të pa plastifikuara, çka do të thotë këto licenca ata i kërkojnë për të migruar në vendet e rajonit dhe për të zhvilluar profesionin më tutje”, ka thënë Gori.
Për kryetaren e OIK-ut, liberalizimi i vizave, është një mundësi më e lehtë për të gjetur një vend pune në Evropë.
Ajo potencoi se kriza për mungesë të infermierëve është duke u thelluar.
“Në bazë të fluksit çfarë është edhe po shihet çdo ditë e më shumë, e mos të them tani edhe me liberalizimin e vizave që mundësi është edhe me e lehtë që ata të ndërrojnë vendbanimin është goxha numër i madh edhe krizë që përveç infermiereve edhe të rinjtë ta lëshojnë vendi tonë”.
Gori ka thënë se Ligji i Pagave ka shpërfaqur edhe më tej pakënaqësinë e këtij komuniteti. Ajo përmend një sërë shkaktarësh që sipas saj i detyron infermierët të largohen nga Kosova.
“Shkaqet tashme janë të ditura, kushtet financiare e sidomos me ligjin e fundit të pagave i cili ka qitur në pah shumë pakënaqësi, kërkesa, ankesa të komunitetit tim. Realisht një pagë çfarë ata paguhen sot në vendin tonë është e pa mundur për t’i mbuluar shpenzimet mujore e mos të them për ta mbajtur edhe familjen. E ku shumica prej neve si komunitet kemi edhe kredia edhe gjëra të tjera. Infrastruktura natyrisht shëndetësore në Kosovë mbetet për t’u dëshiruar, fluksi i madh i pacienteve në raport me infermieret dhe sigurisht ndonjëri nga ata kërkon një jetë më të mirë, me të sigurt. Tash tregu në rrethin po ju mundëson atyre përveç kushteve më të mira, pagë me të mirë, po ju mundëson banim e natyrisht edhe tërheqje të familjes”, ka thënë ajo.