Hysni Gucati e Nasim Haradinaj janë shpallur fajtorë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, është dënuar me katër vjet e gjysmë burgim duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim.
Po ashtu, ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, është dënuar me katër vjet e gjysmë burgim.
Sipas aktgjykimit, ata janë shpallur fajtorë për “Pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare nëpërmjet kërcënimit të rëndë”, “Pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare nëpërmjet pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi”, “Frikësim gjatë procedurës penale”, “Shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë të nxjerrë në procedura zyrtare” dhe “Shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të identiteti dhe të dhënave personale të dëshmitarëve të mbrojtur”.
Ndërsa, u liruan për pikën katër për hakmarrje.
Kryetari i trupit gjykues e ka nisur me akuza seancën ku pritej të shpallej aktgjykimi ndaj krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Gjykatësi ka thënë se veprimet dhe sjelljet e të akuzuarve e kanë sfiduar punën e Speciales, ndërsa më pas lexoi konstatimet e trupit gjykues.
Ai tregoi se si Gucati e Haradinaj “morën pjesë në më shumë se 20 intervista në media”.
Për materialin e publikuar, gjykatësi ka thënë se të akuzuarit kanë bërë “komente nënçmuese për dëshmitarët, pavarësisht paralajmërimeve”.
Duke lexuar konstatimet e trupit gjykues, kryetari shtoi se të akuzuarit “lejuan dhe shpërndanë dokumente konfidenciale të gjykatës, duke kryer vepër penale”.
“Trupi gjykues është i bindur se të akuzuarit vepruan me synim të drejtpërdrejt me synim të zbulimit të informacionit të mbrojtur”, ka thënë kryetari i këtij trupi.
Gjykatësi ka thënë se “ZPS-ja e ka vërtetuar veprën penale”.
Aktakuza
Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.
“Me këto veprime, Gucati dhe Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Si ka rrjedhur gjykimi?
Që nga fillimi i gjykimit ndaj Gucatit dhe Haradinajt janë paraqitur 14 dëshmitarë.
Katër janë propozuar nga ZPS-ja, 6 nga Hysni Gucati, 4 nga Nasim Haradinaj. Numri i dëshmive me shkrim, ndërkaq, ka qenë 18. Dymbëdhjetë janë propozuar nga mbrojtja e Gucatit dhe gjashtë nga mbrojtja e Haradinajt.
Në këtë proces gjyqësor kanë dëshmuar gazetarë, punonjës të zyrës qendrore të OVL-UCK-së, ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, si dhe zyrtarë të ZPS-së dhe të Dhomave të Specializuara.
Si prova kryesore në këtë rast janë paraqitur video-incizimet e zyrës së OVL-UÇK-së, në të cilat Gucati e Haradinaj shihen duke mbajtur konferenca për media dhe duke prezantuar, siç është thënë, dokumente konfidenciale para gazetarëve. Në disa raste, ata akuzohen se kanë dhënë informacione tejet të ndjeshme për dëshmitarë të mbrojtur.
Përmbledhjen e aktgjykimit kundër Gucatit dhe Haradinajt mund ta gjeni në linkun më poshtë:
Permbledhja-e-aktgjykimit-per-Gucatin-e-Haradinajn.pdf