Për një vizitë njëditore, të mërkurën e 5 tetorit në Kosovë ka qëndruar legjenda e futbollit kroat, Zvonimir Boban, që aktualisht mban postin e shefit të futbollit në UEFA.
Boban fillimisht në shoqëri të presidentit Agim Ademi është pritur nga ministri i Sportit, Hajrulla Çeku dhe zëvendësministrja Daulina Osmani.
Në këtë takim Boban u njoftua për programin e Qeverisë së Kosovës, për sportin në përgjithësi e në veçanti për infrastrukturën sportive të futbollit. Po ashtu gjatë këtij takimi, u diskutua për hapat konkretë për avancimin e mëtejmë të futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare.
Më pas, shefi i futbollit në UEFA është pritur nga i pari i kryeqytetit, Përparim Rama, ku po ashtu ka mbizotëruar një bisedë mjaft pozitive për zhvillimin e futbollit. Gjatë këtij takimi u diskutuan ide të ndryshme për realizimin e projekteve në përkrahje të futbollit për kryeqytetin dhe jo vetëm, teksa në shenjë mirënjohje për vizitën, kryetari i Prishtinës mysafirin e nderoi me figurën simbol të kryeqytetit “Hyjneshën në fron”.
Pas vizitave në institucione, Boban u prit në mënyrë madhështore në selinë e FFK-së, nga ish-futbollistë të gjeneratës së rezistencës dhe talente të së ardhmes. Përveç vizitës në ambientet e selisë, ai pati takim edhe me KE të FFK-së, ku e përgëzoi presidentin Ademi dhe bashkëpunëtorët e tij për progresin e bërë në katër vitet e fundit. Bashkë me KE të FFK-së, legjenda kroate vizitoi edhe Kampin Nacional në Hajvali, ku po ashtu lavdëroi punën dhe përkushtimin e drejtuesve të FFK-së në përmirësimin e infrastrukturës sportive, teksa mbolli edhe një fidan në kopshtin e këtij kampi.
Ndërkaq, në drekën e përbashkët krahas anëtarëve të KE-së ishin edhe yjet e futbollit kosovarë, shumë prej të cilëve ishin përballur në fushën e gjelbër me yllin e Dinamos së Zagrebit. Më pas, Boban bashkë me presidentin Ademi bënë homazhe te shtatorja e legjendës, Fadil Vokrri dhe mori pjesë në ndeshjen kualifikuese për Euro 2023 të kombëtareve U17, Kosovë – Itali.
Në fund, Boban foli edhe për mediat për vizitën e tij në Kosovë. Ai ka vlerësuar se Kosova ka bërë punë të madhe në përmirësimin e infrastrukturës në vitet e fundit.
“Jam shumë i impresionuar sa shumë ka ndryshuar Prishtina në këto katër vjet. Njerëzit këtu meritojnë të jetojnë më mirë. Ju uroj të gjithë juve për ndërtimin e kësaj infrastrukture të futbollit. Federata ka bërë punë të madhe. E pashë që e keni edhe mbështetjen e Qeverisë dhe të kryetarit të kryeqytetit. Ju jeni një shtet i ri dhe keni bërë arritje të madhe. Nga pikëpamja e futbollit, ju keni shumë talente, derisa edhe në aspektin e infrastrukturës qëndroni më mirë sepse keni Kampin Nacional, gjë që nuk e ka Kroacia. Asnjëherë nuk është e lehtë t’i krahasosh gjërat, por këtu federata shihet se është duke bërë punë shumë të madhe”, ka theksuar Boban.
Ndërkaq, presidenti Agim Ademi, theksoi se vizita e një personaliteti si Boban është jashtëzakonisht e rëndësishme për futbollin kosovar. Ai tha se ylli i botës, Zvonimir Boban, ka ardhur për të parë nga afër situatën në infrastrukturë dhe në përgjithësi zhvillimin e futbollit në Kosovë.
“Gjatë takimeve të sotme kemi diskutuar për përmirësimin e mëtejmë të infrastrukturës, veçmas për ndërtimin e një stadiumi nacional, i cili do të ishte imazh për shtetin tonë, por edhe për ngritjen e mëtejme të kampionatit vendor”, ka përfunduar Ademi.