Koreja e Veriut lëshoi dy raketa të tjera balistike të enjten është lëshimi i gjashtë i tillë i ndaluar në më pak se dy javë.
Pheniani të mërkurën e ka përshkruar sulmin e tij të fundit si “vetëm masa kundërveprimi” ndaj stërvitjeve të përbashkëta ushtarake të SHBA-së dhe Koresë së Jugut.
Të martën, Pheniani gjuajti një raketë mbi Japoni, duke bërë që SHBA të thërriste një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Në takim, SHBA-ja akuzoi Rusinë dhe Kinën për mbrojtjen e Veriut nga sanksionet më të forta.
Duke kundërshtuar sanksionet e mëtejshme Moska dhe Pekini i kishin dhënë Phenianit “mbrojtje të plotë”, ka thënë ambasadori i SHBA në OKB. Përfaqësuesit kinezë dhe rusë kanë thënë se rritja e dialogut ishte më mirë se ndëshkimi.
Për dy muajt e fundit, SHBA, Koreja e Jugut dhe Japonia kanë mbajtur një sërë stërvitjesh të kombinuara, ndërsa praktikojnë se si të mposhtin dhe pengojnë një sulm të Koresë së Veriut. Këto stërvitje kanë antagonizuar liderin e Koresë së Veriut Kim Jong-un, i cili i sheh ato si provë që armiqtë e tij po përgatiten për luftë.
Në deklaratën e saj, Veriu ka akuzuar SHBA-në për “përshkallëzimin e tensioneve ushtarake në gadishullin Korean”.
Të mërkurën, SHBA, Japonia dhe Koreja e Jugut kryen stërvitje të tjera, të cilat ata thanë se ishin një përgjigje ndaj nisjes së së martës . Shtetet e Bashkuara thanë se nuk kishte “asnjë ekuivalencë” midis testimit të ndaluar të raketave dhe stërvitjeve të sigurisë.
SHBA-ja gjithashtu ridislokoi aeroplanmbajtësen e saj USS Ronald Reagan pranë gadishullit Korean.
Koreja e Jugut dhe Japonia thanë se raketa e parë e së enjtes, e lëshuar rreth orës 06:00 me kohën lokale (21:00 GMT) fluturoi rreth 350 km (217 milje) me një lartësi maksimale prej rreth 100 km, ndërsa raketa e dytë kishte një rreze fluturimi prej rreth 800 km në një lartësi prej rreth 50 km.
Stuhia e fundit e lëshimeve të kujton fuqimisht periudhën që çoi në testin e fundit të armës bërthamore në 2017.
Në atë kohë, siç po ndodh tani, Veriu testoi raketa, nuk kishte dialog me SHBA-në dhe Pheniani lëshoi dy raketa mbi Japoni.
Cilat janë aftësitë bërthamore të Koresë së Veriut?
Imazhet satelitore tregojnë se Veriu ka restauruar tunele në vendin e tyre të testimit bërthamor, të cilin ata kishin pretenduar se i kishin shkatërruar në vitin 2018 gjatë një afrimi diplomatik jetëshkurtër me SHBA-në nën Presidentin Trump.
Muajin e kaluar, Koreja e Veriut rishikoi gjithashtu ligjet e saj bërthamore, me udhëheqësin Kim Jong Un që e shpalli vendin e tij një fuqi bërthamore “të pakthyeshme”.
Me gjithçka në vend, Kim duket se po pret një moment politikisht të përshtatshëm për të kryer testin e tij të shtatë bërthamor, shkruan BBC-ja.
Analistët besojnë se një test ka shumë të ngjarë të ndodhë gjatë dritares prej tre javësh midis Kongresit të Partisë Komuniste në Kinë në fund të këtij muaji dhe zgjedhjeve afatmesme në SHBA në fillim të nëntorit.
Më poshtë gjeni nisjet e fundit të Koresë së Veriut;
E diel, 25 shtator: Një raketë me rreze të shkurtër lëshoi një ditë pasi një transportues detar i SHBA mbërriti në ujërat rreth gadishullit Korean. 600 km distancë / 60 km lartësi
E mërkurë 28 shtator: Dy raketa me rreze të shkurtër qëlluan në prag të vizitës së Zëvendës Presidentes së SHBA Kamala Harris në Seul dhe DMZ. 360 km distancë / 30 km lartësi
E enjte 29 shtator: Dy raketa me rreze të shkurtër veprimi pasi Harris u largua nga Koreja e Jugut. 300 km distancë / 50 km lartësi
E shtunë, 1 tetor: Dy raketa me rreze të shkurtër u lëshuan në mes të stërvitjeve të vazhdueshme SHBA-Kore e Jugut-Japoni. 400 km distancë / 50 km lartësi
E martë 4 tetor: Një raketë balistike me rreze të mesme veprimi qëlloi mbi Japoni. 4,500 km distancë / 2,800 km lartësi
E enjte 6 tetor: U lëshuan edhe dy raketa me rreze të shkurtër veprimi. 800 km distancë / 50 km lartësi.