Shënohet Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës në Kosovë

Më 14 prill shënohet Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në vitin 2021, kjo datë ishte propozuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, datë kjo e cila përkon me ditën e rrëmbimit të Vasfije Krasniqit – deputete nga Lëvizja Vetëvendosje.

Krasniqi është e mbijetuara e dhunës seksuale e cila e para publikisht ka folur për përjetimet dhe dhunën e shkaktuar.

Vasfije Krasniqi – e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

Ishte pikërisht data 14 prill, kur ajo ishte rrëmbyer nga forcat serbe, dhe ishte dhunuar në mënyrë barbare.

Ndryshe, të enjten e 14 prillit në oborrin e kuvendit të Kosovës do të hapet një ekspozitë e cila është organizuar nga presidentja Osmani dhe përfaqësuesit e organizatave të cilat e përfaqësojnë interesin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.

Kjo ekspozitë, ka për qëllim të ilustrojë shpresat dhe nevojat e të mbijetuarve të dhunës seksuale.

Ndërkaq, 40 burra si dhe 986 gra të tjera nga Kosova kanë dokumentuar dhunën seksuale, që kanë përjetuar para më shumë se dy dekadash.

Mbi një mijë persona, për tri vjet kanë arritur të fitojnë statusin e viktimës së dhunës seksuale dhe për të përfituar pagesën mujore prej 230 eurosh.

Megjithatë në mesin e tyre, ka gra e burra që kanë refuzuar të marrin pensionin, por që këta të mbijetuar kanë kërkuar vetëm të dokumentojnë tmerrin që kanë përjetuar.

Ndryshe, më 12 korrik të vitit 2021, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë kishte kërkuar angazhim nga institucionet e Kosovës për vendosjen e drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale, gjatë luftës në Kosovë.

“Është koha për të dyfishuar përpjekjet dhe për t’i mbajtur përgjegjës të gjithë autorët, pavarësisht nga prejardhja, etnia, apo lidhjet politike”, shkruhej në njoftimin e ambasadës.

Dënimi i parë për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë

 Gjykata Themelore në Prishtinë më pesë korrik të vitit 2021 kishte dënuar me dhjetë vjet burgim, ish-rezervistin e policisë serbe, Zoran Vukotiq për kryerjen e veprës penale të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Ky është rasti i parë që dikush dënohet për një krim të tillë nga gjykatat e Kosovës.

Aktakuza kundër Vukotiqit ishte ngritur në mars të vitit 2020 nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Zoran Vukotiq, si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, “kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, në kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, kishte kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar”.

Për këtë kishte reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila dënimin e Vukotiqit e kishte cilësuar si lajm të mirë për të gjitha viktimat e dhunës seksuale të luftës.

“Drejtësia për krimet e luftës do të bëhet dhe për këtë do të angazhohemi çdo ditë”, kishte shkruar Haxhiu në rrjetin social Facebook.

Ndërkaq, sipas Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), dënimi i Vukotiqit shënon “një moment kthese dhe shprese”, jo vetëm për viktimën, që ka dëshmuar kundër Vukotiqit, por edhe për të mbijetuarit e tjerë “që një ditë drejtësia do të vihet në vend”.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika