Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se gjatë takimit me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz, ua ka atyre prezantuar vijat e kuqe, përtej të cilave nuk mund të shkojë Kosova.
Në konferencën për media në Pragë, të enjten mbrëma, ku po merr pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, Omani ka thënë se gjatë takimit me dy liderët evropianë, ka ngritur çështjen e liberalizimit të vizave dhe anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, si dy tema që duhet të shtyhen përpara.
Njëashtu u diskutua edhe për dialogun me Serbinë.
Ajo ka njoftuar se vijat e kuqe të Kosovës që i ka paraqitur në këtë takim kanë të bëjnë me mbrojtjen e integritetit territorial, sovranitetit e kushtetutshmërisë, që Kosova të mbetet shtet funksional.
“Që mos të lejojmë zgjidhje të cilat më shumë shkaktojmë probleme sesa që sjellin më shumë paqe e stabilitet në rajon. Unë i falënderoj të dy që na dhanë mundësinë që aq në detaje të shpjegojmë pozicionin tonë dhe ekipet e tyre shumë shpejtë përsëri do të ulen bashkë me ne të diskutojmë të gjitha temat edhe më në detaje se sa që kishim mundësi në këtë takim. Është shumë me rëndësi që liderë si Scholz e Macron kanë një angazhim dhe përkushtim kaq të madh që dialogu mes Kosovës e Serbisë të ecë në rrugë të drejtë”, ka shtuar ajo.
Ajo ka folur edhe për takimin e 13 tetorit të Grupit Punues për Vizat, ku pikë e rendit të ditës do të jetë çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe për këtë është shprehur me optimizëm, por ka thënë se duhet treguar kujdes, pasi nuk përfundon gjithçka aty se ka shumë hapa të tjerë deri në hyrjen në fuqi.
E për takimet me liderët e Greqisë dhe Sllovakisë, dy shtetet mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës, Osmani ka thënë se që të dyja vendet kanë qëndrime konstruktive në raport me Kosovën.
“Këto janë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, por të dyja kanë qëndrime konstruktive sepse asnjëherë nuk e kanë bllokuar rrugën evropiane të Kosovës. Kisha mundësinë të kërkojë përkrahje përtej tyre me disa prej çështjeve me të cilat po ballafaqohemi tani dhe po shpresoj që jemi në rrugë të drejtë por në fund këto do të jenë vendime të institucioneve të këtyre dy shteteve, ne kemi shpjeguar argumentet tona se pse është me rëndësi Kosova të ecë në mekanizmat ndërkombëtar. Siç e thash tani do të presim edhe vendimet e tyre. Çka është me rëndësi këto shtete asnjëherë nuk e kanë e bllokuar liberalizimin e vizave për Kosovën edhe pjesë janë shtete mosnjohjes në fakt na kanë përkrahur edhe publikisht”, ka thënë ajo, raporton RTK.