Ish kryeministri i Kosovës dhe njëherit deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, në seancën plenare të ditës së premte të 7 shtatorit ka parashtruar disa pyetje drejtuar ministres së ekonomisë, Artane Rizvanolli, ku sipas Hotit qytetarëve dhe bizneseve iu mungojnë informatat se si të përgatiten për dimrin e këtij viti.
“Ka dyfishim të çmimit të druve, njerëzit nuk e dinë çfarë i pret, është e njëjta sasi e druve, dhe njerëzit e njëjtë që nxehën, por paqartësia se si do të menaxhohet kriza në këtë sektorë ka shkaktuar këtë panik”, ka thënë Hoti.
Hoti tutje ka kërkuar që ministrja Rizvanolli të përgjigjet në këto pyetje:
Sa pritet të jetë prodhimi i energjisë nga KEK-u gjatë dimrit? Sa duhet importuar energji për të plotësuar kërkesën vendore? Sa buxhet duhet ndarë përafërsisht për import? A mund të lidhen kontratat qysh tani? Sa i kemi dhënë energji Shqipërisë, dhe sa mund ta kthejmë këtë energji gjatë dimrit? Sa buxhet duhet ndarë për kompanitë e energjisë në mënyrë që rritja e faturave të jenë të përballueshme për familjet? Sa buxhet duhet ndajmë një specifike për familje që janë asistencë sociale në bazë të Ministrisë së Financave?
Ndërsa Rizvanolli në përgjigjen e saj ka thënë se 3.2 milionë megavat orë pritet të jetë prodhimi për muajin tetor deri mars 2023. Njashtu ajo ka bërë të ditur se gjatë muajit tetor në operim do të jenë dy blloqe të termocentralit Kosova B dhe një A. Ndërsa ka shtuar se në muajin nëntor pritet të jenë në operim dy blloqe të Kosova A dhe një e Kosova B.
E pyetur për çështjen e importit, Rizvanolli ka treguar koston dhe sasinë e prodhimit të importit.
“Vlerësohet se në tetor 2022 deri mars 2023, rreth 722 megavat orë do të jetë importi, ndërsa kostoja do të jetë 350 milionë euro“, ka thënë ajo.
Për kontratat, ministrja Rizvanolli ka treguar se Ministria ka kërkuar nga KESCO që të shqyrtohet kjo mundësi, dhe ky proces sipas saj vazhdon.
Ndër temat e diskutuar ka qenë edhe deponimi i energjisë në Shqipëri, pra këmbimi me vendin fqinjë, që sipas ministres Rizvanolli periudha e verës është koha kur deponimet ndodhin më shumë.
“Rreth 138 mijë e 888 megavat orë deri tani i kemi deponuar nga KESCO në KESH”, ka thënë ajo.
Vlen të theksohet se ajo ka përfunduar se masat për mbrojtje të konsumatorëve do të merren në vazhdimësi.