Përfaqësuesi special i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, ka thënë se situata në Mal të Zi dhe në rajon është “shumë më e keqe” se pesë vjet më parë.
Ai ka përmendur një rënie të përkushtimit ndaj vlerave evropiane si arsye për këtë.
Lajçak ka vlerësuar se edhe bashkëpunimi rajonal është më i keq se atëherë, duke shtuar se të gjithë indikatorët tregojnë se vendosmëria dhe përkushtimi ndaj reformave që do ta afronin Bashkimin Evropian tani janë më pak të pranishme.
“Edhe unë mbaj përgjegjësi. Nuk bëhet fjalë për faj, po e them të qartën, kjo është vetëm një vëzhgim”, ka thënë Lajçak.
Ai ka thënë se ekuilibri në politikën e zgjerimit, i cili më parë nuk ishte i pranishëm, tani është aty dhe ka shtuar se BE-ja është në pritje.
Po ashtu, ai ka theksuar se komuniteti politik evropian nuk duhet të ketë frikë.
“Lufta në Ukrainë ka ndryshuar shumë gjëra, rregullat, arkitekturën botërore. Ka një gjë shumë të mirë, dhe ajo është se ka një zgjim në BE,” ka thënë Lajçak, raporton EN.
Lajçak ka thënë se kriteret politike janë po aq të rëndësishme sa ato teknike.
“Rajoni nuk është në një gjendje të mirë dhe BE-ja dëshiron të tregojë se ne jemi seriozë dhe duam të tregojmë një shembull pozitiv të Ballkanit Perëndimor. Këshilla ime e sinqertë për rajonin – le të mendojmë më pak se çfarë dëshiron BE-ja, dhe fokusohemi në përmbushjen e detyrave tona”, ka shtuar Lajçak.
Gjithashtu, ai ka theksuar se anëtarësimi nuk është dhuratë.
Sipas tij, për tu anëtarësuar në BE, vendet duhet të ndërtojnë standarde evropiane, por edhe të zgjidhen çështjet dypalëshe”.