Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në seancën e Kuvendit në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që ka ardhur si rezultat i parashtresës së Komunës së Kamenicës, ka thënë se e ka pasur obligim ligjor të ndërmarrë hapa për fëmijët që nuk po e vijonin mësimin në Komunën e Kamenicës.
Nagavci theksoi, se me të marrë detyrën e ministres së arsimit, ka pasur kërkesa të shumta nga prindërit e fëmijëve në Kamenicë, që t’ia mundësoj siç ka thënë fëmijëve të asaj komune të drejtën për arsimimin.
Ministrja e Arsimit, tha se ministria që ajo përfaqëson i është kërkuar veprim nga Avokati i Popullit, sepse sipas saj, ai kishte konstatuar se fëmijëve që nuk po e vijonin mësimin, po i shkelej e drejta.
“Përveç kësaj kam gjetur edhe raportin e Avokatit të Popullit, nga ish-avokati, I cili konstaton se vendimi për riorganizimin e arsimit parauniversitar në komunën e Kamenicës, ka moszhvillim të procesit mësimor dhe se kjo përbente shkelje të së drejtës për shkollim e përcaktuar me nenin 47 të kushtetutës”, ka thënë Nagavci.
Ajo është shprehur gjithashtu se si ministre nuk mund të qëndronte symbyllur ndaj faktit që fëmijët nuk po shkonin fare në shkollë, në periudhë gati dy vjeçare.
“Ndryshe nga Gjykata që nuk e ka trajtuar atë, ne si Ministri nuk kemi mundur të mos e përmbushim një obligim të tillë. Mohimi i së drejtës për shkollim pa fajin e tyre u vendosë në një fushëbetejë politike. Si ministre kam respektuar obligimin tim”, ka thënë ajo.
Asaj dorëheqjen ia ka kërkuar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj.
“Ne iu bëjmë thirrje jo vetëm si akt moral por si shkelëse e Kushtetutës, ministrja Nagavci të shkarkohet menjëherë”, ka thënë ai.
Njëjtë si kolegu si Selmanaj kanë vepruar edhe deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës duke thënë se nuk duhet që Nagavci të bëhet model për të tjerët se si e shkel kushtetutën.
Ditë më parë, dorëheqjen e saj e kishte kërkuar edhe ish-kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.