Haiti ka autorizuar kryeministrin Ariel Henry për të kërkuar ndihmë për shkak të rrezikut të një krize të madhe humanitare.
Ndërsa, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kanë bërë thirrje qytetarëve të saj në Haiti që të largohen për shkak se ishin të pasigurt.
Ende nuk është e sigurt se kujt i është dërguar kërkesa për ndihmë dhe në çfarë forme do të jepet ndihma, dihet se Organizata e Kombeve të Bashkuara ka thënë se nuk ka marrë një kërkesë zyrtare nga qeveria e Haitit, shkruan BBC-ja.
“Siç thamë, ne mbetemi jashtëzakonisht të shqetësuar për situatën e sigurisë në Haiti, ndikimin që ka tek populli Haitian, në aftësinë tonë për të bërë punën tonë, veçanërisht në sferën humanitare,” ka thënë zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.
Njashtu SHBA-ja po shqyrton kërkesën për shpërndarje të karburantit brenda Haitit, këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i departamentit të shtetit, Vedant Patel.
Terminali i karburantit Varreux është kontrolluar dhe bllokuar nga një koalicion bandash të fuqishme që nga muaji i kaluar, i cili ka ndalur të gjithë vendin. Disa spitale janë mbyllur, ndërsa bizneset dhe shërbimet e transportit kanë pushuar së punuari në shenjë proteste për skamjen.
Trazirat civile u përshkallëzuan qëkur Henry njoftoi përfundimin e subvencioneve të qeverisë për karburantin më 11 shtator, gjë që bëri që çmimet e benzinës dhe naftës të rriteshin në qiell.
Që atëherë, protestat dhe plaçkitjet janë intensifikuar, me kryeqytetin Port-au-Prince, në qendër të tij. Depot e ndihmave ushqimore janë vënë në shënjestër, me një vlerë prej 5 milion dollarësh (4.6 milion £) ndihma ushqimore të humbura në sulme të përsëritura, sipas të dërguarit të Haitit në OKB.
Është e paqartë nëse kërkesa e qeverisë Haitiane për ndërhyrje ushtarake të huaj do të nënkuptonte kthimin e trupave paqeruajtëse të OKB-së, pas largimit pesë vjet më parë.
Prania e OKB-së ka lënë një trashëgimi të përzier në Haiti: paqeruajtësit e saj pranuan përgjegjësinë e pjesshme për ndezjen e një epidemie kolere më shumë se një dekadë më parë, e cila vrau rreth 10,000 njerëz.
Qeveria e Haitit ka thënë se tetë njerëz kishin vdekur të dielën nga kolera, për herë të parë pas tre vjetësh, duke ngritur shqetësime edhe për mundësinë e një krize shëndetësore.
Nga shumë furnizime që janë bllokuar nga bandat e vendit, uji i pastër është jetik, veçanërisht, pasi kolera përhapet përmes ujit të kontaminuar.
Haiti është një nga vendet më të varfra në botë dhe ka pësuar një sërë krizash të fundit, më së shumti vrasja e presidentit të saj, Jovenel Moïse, në korrik 2021 dhe një tërmet masiv që la më shumë se 2200 njerëz të vdekur vetëm një muaj më vonë.
Vdekjet janë të shpeshta, me më shumë se 200 njerëz të vrarë në dhunën e bandave në Port-au-Prince në vetëm 10 ditë në korrik, sipas shifrave nga OKB.