Zëvendëskëshilltari politik i komandantit të KFOR-it, Alexander Aalmo, në seminarin “Rose-Roth” të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ka thënë se për KFOR-in është shqetësuese që shumë pak serbë kanë vendosur t’i ndërrojnë tabelat e veturave në RKS.
Aalmo ka thënë se do të bëjnë çmos që t’i zgjidhin telashet e mundshme. Megjithatë afati i fundit për të bërë ndërrimin e tabelave të veturave është 31 tetori.
“Vitin e kaluar kemi pasur indikacionet e para se këto do të jenë çështje konfliktuoze me barrikadat që u vendosën. Është dashur shumë angazhim ndërkombëtar për të deeskaluar situatën. Deri në fund të këtij muaji kur është afati kohor për regjistrimin e automjeteve në RKS, shumë pak nga këta kanë vendosur që t’i ndërrojnë tabelat e që është shqetësim për ne. Ne do të përpiqemi dhe bëjmë çmos që të zgjidhim paraqitjen e telasheve. KFOR-i do të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë për aq kohë sa është e nevojshme. Roli i KFOR vazhdon të jetë i nevojshëm dhe i domosdoshëm”, është shprehur Aalmo.
Procesi i ndërrimit të targave të veturave ka filluar nga 1 shtatori dhe do të zgjasë deri më 31 tetor të këtij viti.