76 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjes së një varke në shtetin juglindor të Anambras të Nigerisë.
Varka, e cila mbante të paktën 80 persona, u përmbys të premten në zonën Ogbaru në shtetin Anambra, raporton BBC.
Shumica e viktimave ishin gra dhe fëmijë, që përpiqeshin të arrinin sigurinë pasi komuniteti i tyre ishte përmbytur nga ujërat.
Raportet e mediave lokale thonë se varka kishte pësuar një prishje të motorit dhe goditi një urë përpara se të përmbysej.
Presidenti i Nigerisë, Muhammadu Buhari ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet e viktimave në këtë aksident.
Në një postim në Twitter të dielën, presidenti i Nigerisë, Muhammadu Buhari ka thënë se autoritetet po punojnë për të shpëtuar ose rikuperuar çdo pasagjer të zhdukur, duke shtuar se ai kishte udhëzuar agjencitë përkatëse të kontrollojnë protokollet e sigurisë për të parandaluar aksidentet e ardhshme.
Guvernatori i Anambrës, Charles Soludo ka thënë se aksidenti ka qenë një tronditje si për banorët ashtu edhe për qeverinë e shtetit, duke shprehur ngushëllimet e tij për familjet e viktimës.
Aksidentet me varka janë relativisht të zakonshme në Nigeri, megjithëse shumica fajësohen për mbingarkimin ose masat e dobëta të sigurisë.
Anambra është një ndër shtetet e Nigerisë që kanë përjetuar përmbytje të mëdha këtë vit.