Të hënën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës(ShSKUK).
Në këtë takim, shefi i ekzekutivit është pritur nga ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raçi.
Në takim kanë qenë edhe ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku, zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, kryetarja e bordit të ShSKUK-së, Aida Rexhepi, si dhe drejtori i Njësisë së Auditimit të Brendshëm të ShSKUK-së, Musa Vitija, raporton EO.
Pas takimit, Kurti para mediave ka folur edhe për djegien e veturës së drejtorit të njësisë së Auditimit të Brendshëm të ShSKUK-së.
Sipas tij, edhe pse dy herë ia kanë djegur veturën ai prapë ka dalë sot në punë, kryeministri e falënderoi atë për përkushtimin.
Ky takim i Kurtit me bordin e ShSKUK-së vjen pak ditë pas dorëheqjes së ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi.
“Siç është bërë e njohur tashmë, më datë 6 tetor 2022, me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit, dhashë dorëheqje nga Ministria e Shëndetësisë, ku shërbeva për 10 muaj e gjysmë si ministër. Ky ka qenë vendimi më i vështirë që kam marrë ndonjëherë në jetën time”, kishte shkruar Latifi më 8 tetor për dorëheqjen e tij.
Aktualisht edhe Ministria e Shëndetësisë, por edhe QKUK-ja, janë pa drejtues dhe të dyja institucionet funksionojnë me zëvendës dhe ushtrues detyre.