Të hënën e 10 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje sërish përmes një videoje në Facebook ka kritikuar deputetë e ish-pushtetarë të ndryshëm, duke thënë se terminalet në çdo cep të saj kanë qenë në pronësi private të lidhura ngushtë me politikën.
Në video përmendet rasti i deputetes, Margarita Kadriu që sipas kësaj partie, kishte fituar një terminal doganor në këmbim të një vote të një presidenti.
Përveç kësaj, në video thuhet se terminale të tjera të privatizuara janë, terminali i Devollëve, terminali i djemve të Isa Mustafës dhe terminali i Sami Lushtakut.
Sipas VV-së, përfituesit e terminaleve 37 milionë euro i kanë përvetësuar për një vit vetëm prej 10 terminaleve.
“370 milionë euro për 10 vjet prej këtyre terminaleve. Ndërkaq tash Qeveria Kurti ka filluar kthimin e terminaleve në shtet prej nga do të përfitojë Republika”, thuhet në njoftimin e VV-së.
Ndërkaq VV-ja ka thënë gjatë qeverisë Kurti ka filluar punën me kapacitete të plota Terminali i Kosovës në Portin e Durrësit, çka e bën të mundur që ekonomia e Kosovës për eksporte dhe importe tashmë të ketë qasje në det dhe tregje globale.
“Drejtësia. Shteti. Publikja. Shoqërorja. Të gjitha mbi sloganin e vjetër familja, prona, shteti”, thuhet më tutje.
Kjo nuk është hera e parë që Lëvizja Vetëvendosje gjatë qeverisjes së saj në pushtet ka publikuar një video të tillë.
Më tre tetor, Lëvizja Vetëvendosje përmes një video në Facebook ka kritikuar opozitën, duke thënë se për 20 vjet rresht në Kosovë kanë qeverisur “shkatërruesit e shtetit” që nuk duan ta shohin Kosovën mirë.
“Shkatërruesit e shtetit që nuk duan ta shohin Kosovën mirë, për 20 vjet kanë qeverisur vendin. Herë vetëm e herë njëri me tjetrin. Formalisht të ndarë në parti të ndryshme, por praktikisht në një qëllim”, thuhet në postimin e tyre.
Vetëvendosje akuzon opozitën, i quan “shkatërrues të shtetit”