Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka përshëndetur momentin historik të fjalimit të nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
“11 tetor 2022, Kosova e fitoi të drejtën e fjalës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Për herë të parë u dëgjua zëri i Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Ajo ka cituar edhe një pjesë të fjalimit të saj të mbajtur atje.
“Mendjet, zemrat dhe lutjet tona janë me ju (Ukrainën). Ne e dimë në atë se çfarë po kaloni. Unë vetë jam e mbijetuar e një masakre”, theksoi ndër të tjera nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, në fjalën e saj në Këshillin e Evropës.
Ndryshe, të martën e 11 tetorit për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, i është drejtuar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, duke e mbajtur një fjalim, ku foli për demokracinë në Kosovë e rajon, si dhe për luftën në Ukrainë.
Bogujevci në këtë fjalim ka ripërsëritur qëndrimin e shtetit të Kosovës në përkrahje të Ukrainës e cila po përballet nga pushtimi i Rusisë.
Ajo tha se bashkëndien me popullin ukrainas duke theksuar se vetë është e mbijetuar e një masakre në luftën e fundit në Kosovë.
“Hera ime e parë që po i adresohem një paneli të tillë, dua t’u them qytetarëve të Ukrainës që janë në zemrat dhe në mendimet tona përherë, e dimë shumë mirë se në çfarë jeni duke kaluar edhe unë jam e mbijetuar e një masakre. Gjithmonë do të qëndrojmë me ju dhe shpresojmë që që kjo luftë të mbarojë së shpejti”, ka thënë ajo.
Bogujevci tha se Kosova e ka demokracinë më të avancuar në rajon, teksa i ftoi anëtarët e asamblesë që të vijnë dhe ta vizitojnë Kosovën dhe ta shohin për së afërmi avancimin e saj demokratik.
“Sot mund të flas për shumë gjëra, për arritjet e Kosovës, një nga demokracitë më të avancuara në rajon, nëse nuk më besoni, mund të vini të na vizitoni dhe ta shihni vetë”, u shpreh ajo.
Përveç anëve pozitive, Bogujevci foli edhe për sfidat e shtetit të Kosovës, duke e vënë theksin në problemet me shtetin e Serbisë dhe për shkak të luftës së fundit, e cila ka shumë ndikim te populli i Kosovës.