Ushtruesi i Detyrës së OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, u ka bërë thirrje studentëve të cilët janë fëmijë të veteranëve të luftës, t’u ngrenë padi fakulteteve përkatëse apo Zyrës për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së, në rast se nuk lirohen nga pagesa e semestrave.
Klinaku ka thënë se Zyra për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së nuk është duke i kryer obligimet e saj ashtu siç e përcakton ligji.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, selia qendrore në Prishtinë, gjithmonë ka lëshuar vërtetime për lirim nga pagesa e semestrave, dhe këtë është duke e bërë edhe tani”, ka thënë Klinaku.
“Edhe pse Zyra për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së e ka obligim ligjor ofrimin e shërbimeve për kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, nuk po e realizon këtë për shumë nga ju për shkak të gabimeve teknike”, ka vijuar ai.
Klinaku ka theksuar se shumë studentë po kthehen prapa dhe po orientohen në Prokurorinë Speciale për kopje të aplikacionit, gjë që sipas tij po shkakton vonesa të shumta.