Arbreshë Kryeziu, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, në emisionin “Magazinë” të Radio Dukagjinit, është shprehur se Qeveria e Kosovës e ka shtuar intensitetin e punës, për t’i bindur shtetet skeptike që të votojnë pro liberalizimit të vizave për Kosovën.
Kryeziu ka thënë se askush nga politika kosovare nuk mund të japë garanci për liberalizim të vizave, por sipas saj, disa vende skeptike tashmë e kanë ndërruar qëndrimin e tyre sa i përket kësaj çështjeje.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës e përmendi shtetin e Francës, shtet i cili sipas saj tashmë nuk është kundër heqjes së vizave për Kosovës, siç ka qenë në të kaluarën.
“Kemi të bëjmë me qëndrimet e shteteve, ne pak a shumë i dimë qëndrimet e tyre, dhe është vazhdimisht duke u punuar me shtetet të cilat kanë qenë skeptike, në mënyrë që qëndrimi i tyre me datën 13 tetor të ndryshojë. Mbetet të shihet sepse nuk mund të themi saktë që është kështu apo ashtu, sepse fundja është në dorën e ministrave që ta bëjnë një gjë të tillë, por është e rëndësishme që nga ana e qeverisë është shtuar intensiteti për këtë çështje”, ka thënë ajo.
Kryeziu theksoi se Kosova i ka përmbushur të gjithë kushtet e vendosura nga Bashkimi Evropian, tashmë sipas saj çështja e vizave është në dorën e vendeve të BE-së.
Ajo shtoi se më datën 13 tetor nuk do të jepet vendimi përfundimtar por vetëm do të diskutohet për çështjen e vizave.
“Ata e kanë pranuar një raport që konfirmon se Republika e Kosovës tashmë i ka përmbushur të gjitha kriteret apo kushtet e vëna, dhe jemi përballë vendimit që po pritet të merret. Më 13 tetor nuk do të jepet vendimi përfundimtar por do të diskutohet dhe ajo që është e rëndësishme është që të marrim feedback pozitiv prej anëtarëve të vendeve evropiane”, ka thënë ajo.
Po ashtu, deputetja e VV-së foli edhe për përfaqësimin dhe fjalimin e Saranda Bogujevcit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të cilin e quajti historik. Kryeziu tha se ky lajm jep shenja pozitive se Kosova është në rrugën e duhur për t’u anëtarësuar në KiE.