Banglladeshi dhe Kosova kanë nënshkruar një marrëveshje për heqjen reciproke të vizave për bartësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare. Kjo u bë e ditur nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook.
“Sot, së bashku me z. Masud Bin Momen, Sekretari i Lartë për Punë të Jashtme, zhvilluam konsultimet politike në mes të dy Ministrive tona të Jashtme. E njoftova delegacionin bengal për arritjet e Republikës së Kosovës dhe planet për të ardhmen. Po ashtu, përgëzova arritjet dhe progresin e shtetit të Banglladeshit”, ka shkruar ai.
Ahmeti ka theksuar se gjatë takimit u diskutua për një sërë marrëveshjesh, si ajo për Bashkëpunim Kulturor, Marrëveshjen për Bashkëpunim Ekonomik, Marrëveshjen për Promovimin e Investimeve dhe Marrëveshjen për Shmangien e Tatimit të Dyfishtë dhe Parandalimit të Evazionit Fiskal.
Tutje, ai ka falënderuar shtetin e Banglladeshit për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.
“Ndërsa, pas takimit, së bashku me z.Momen nënshkruam Marrëveshjen e Heqjes Reciproke të Vizave për Bartësit e Pasaportave Diplomatike dhe Zyrtare”, ka përfunduar Ahmeti në njoftimin e tij.