2991 raste të kancerit në vitin 2021 në Kosovë, për vitin aktual nuk ka ende statistika

Kanceri është një ndër shkaktarët kryesor të vdekjeve në të gjithë botën. Kjo sëmundje ka shkaktuar 7.4 milonë vdekje në vitin 2004 në mbarë botën, ndërsa në vitin 2007 këtë sëmundje nuk kanë arritur ta mposhtin 7.9 milionë persona. Në vitin 2021 në Kosovë janë diagnostikuar me kancer afër 3 mijë persona, ndërsa në vitin aktual ende nuk ka statistika të sakta lidhur me numrin e pacientëve të prekur me kancer

Foto ilustrim

Në Kosovë vitet e fundit numri i të prekurve me kancer ka shënuar rritje. Në vitin 2020 komuna me numrin më të madh të pacientëve ka qenë Prishtina me 414 persona, ndërkaq komunat të cilat e kanë pasur numrin më të vogël të pacientëve ishin Graçanica dhe Shtërpca me nga 3 persona të diagnostikuar.

Përderisa në vitin 2020 numri i përgjithshëm i personave me kancer ka qenë 2 mijë e 787, ky numër në vitin 2021 ka shënuar rritje.

Kryeqyteti vazhdon të mbetet edhe në vitin 2021 me numrin më të madh të pacientëve me kancer ku numri total ka qenë 542, ndërsa komunat me numrin më të vogël janë Novobërda me 3 pacientë dhe Mamusha me 2.

Të dhënat e pacientëve me kancer në komunat e Kosovës, për vitin 2021

Derisa për dy vitet e fundit numri i personave të prekur me sëmundjen e kancerit në nivel vendi është bërë i ditur, për vitin 2022 ende nuk ka ndonjë statistikë sa i përket kësaj çështjeje.

Drejtori i Qendrës Kryesore Familjare në Komunën e Istogut, Tahir Kaliqani, në një prononcim për Portalin Dukagjini ka thënë që numri i pacientëve për vitin 2022 në këtë komunë nuk është evidentuar akoma.

“Për shkak të mosfunksionimit të SISh-it (Sistemit të Informacioneve Shëndetësore) nuk kemi numër të saktë të pacientëve të diagnostikuar me kancer, sepse edhe një numër i konsideruar i pacientëve bëjnë vizita private dhe nuk evidentohen”, ka theksuar Kaliqani.

Drejtori ka shtuar se kjo komunë u ndihmon qytetarëve të cilët janë me kancer në mbulimin e shpenzimeve për ilaçe dhe trajtim me terapi të kësaj sëmundjeje.

“Komuna ndihmon çdo rast-pacient të diagnostikuar me kancer për barna në vlerë 250-300€ si dhe ia mbulon shpenzimet e udhëtimit me naftë gjatë trajtimit me kimioterapi dhe radioterapi”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, ai ka thënë që gjatë muajit tetor është organizuar edhe një fushatë vetëdijësuese në këtë komunë, për informimin e qytetarëve në mënyrë më të hollësishme rreth sëmundjes së kancerit.

“Më datë 6 tetor është organizuar fushatë njëditore për vetëdijësimin mbi sëmundjen e kancerit, gjithashtu e kemi caktuar një doktoreshë specializante të gjinekologjisë dhe një motër mami të promovojnë mbi sëmundjen e kancerit”, është shprehur Kaliqani.

Ndër të tjera, ai ka përmendur disa vende të kësaj komune se ku janë realizuar këto fushata dhe ka thënë se janë në pritje të aparatit për ekzaminimin e kancerit, në mënyrë që qytetarët e Istogut të mos shkojnë në vendet e tjera për ta kryer këtë shërbim.

“Kampanja është zhvilluar në tri bashkësi të Istogut, Gurrakoc, Vrellë dhe Rakosh, gjithashtu presim që brenda afatit dhjetëditor të vendosim aparatin e mamografisë në QKMF Istog, që pacientët tanë të kryejnë këto shërbime falas në QKMF e të mos bredhin në qendrat e tjera”, ka theksuar drejtori i QKMF-së në Istog.

Çfarë duhet të dini për sëmundjen e kancerit?

Termi kancer përdoret për një grup prej 100 sëmundjeve të cilat mund të prekin çdo pjesë të organizmit, dhe njihet si një rritje e pakontrolluar e qelizave të cilat prodhojnë një tumor ose neoplazme.

Sëmundja e kancerit ndahet në katër kategori, karcinomat, sarkomat, leukemia dhe limfoma.

Karcinomat janë kancere të cilat rrjedhin nga indet epiteliale dhe që përfshijnë kancerin e lëkurës, gjëndrave, gjinjve dhe shumë organeve të brendshme. Në të njëjtën kohë përshijnë rreth 80-90% të numrit të përgjithshëm të kancereve. Ndërkaq sarkomat janë tumore të indit lidhor.

Leukemia është kancer i tipit që karakterizohet me rritje shumë të shpejtë të numrit të leukociteve, rruzat e bardha të gjakut.

Dhe limfoma është një formë e kancerit që prek sistemin imunitar në mënyrë specifike, ky është një kancer i qelizave të imunitetit të quajtura limfocite, një lloj i qelizave të bardha të gjakut.

Por, diagnostikimi me sëmundjen e kancerit shpeshherë konsiderohet si patologji e pashërueshme, ndërkaq zbulimi i saj në faza të hershme është shpëtim jete.

Kanceri është një ndër shkaktarët kryesor të vdekjeve në të gjithë botën. Kjo sëmundje ka shkaktuar 7.4 milonë vdekje në vitin 2004, ndërsa në vitin 2007 këtë sëmundje nuk kanë arritur ta mposhtin 7.9 milionë persona.

Vdekjet e shkaktuara nga kanceri janë gjithnjë në rritje, sa që në vitin 2030 parashikohet që numri i vdekjeve prej kancerit të rritet në 12 milionë.

Shija e redaktorit

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Të fundit nga rubrika