Shefi i EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, ka thënë se edhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola e përkrah Kosovën drejt procesit të liberalizmit të vizave.
Wigemark, nëpërmjet një postimi në Twitter, ka thënë se Metsola këtë e kishte bërë të ditur gjatë një diskutimi që ka pasur me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në Samitin e BE-së, për Ballkanin Perëndimor muaj më parë, në Bruksel.
“Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola gjithashtu u shpreh fuqishëm në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën, duke iu referuar një diskutimi që kishte me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor në Bruksel disa muaj më parë”, ka shkruar Gunnar Wigemark në Twitter.
Të enjten 13 tetorit pritet që raporti i Komisionit Evropian të jetë në rend të ditës, ku shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do ta shqyrtojnë mundësinë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, të cilët janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë që nuk kanë lirinë e lëvizjes në Bashkimin Evropian(BE).
Vendimet e shteteve janë sovrane dhe për tu hequr vizat për Kosovën duhet që të gjitha shtetet anëtare të BE-së të votojnë pro sepse vendimet merren në mënyrë unanime.
Ndërsa, liberalizimi i vizave nuk po konsiderohet si rrezik i migrimit të qytetarëve të Kosovës drejt shteteve të Bashkimit Evropian, sipas analistëve, por ata tani kanë mundësi që të largohen nëpërmjet vizave të punës.
Po ashtu, nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës, kanë thënë për Portalin Dukagjini se Kosova është duke u zbrazur nga mungesa e kushteve të punës për punëtorët e sektorit privat dhe nuk e sheh liberalizimin e vizave si rrezik.