Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se me ndryshimet në Kodin Penal, vepër e re penale në Kosovë nga e mërkura e 12 tetorit do të jetë testimi i virgjërisë.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se dënimet plotësuese ndaj atyre që shpallen fajtorë për dhunim seksual dhe dhunë në familje do të jenë, ndalimi i kandidimit në çdo pozitë publike në nivel lokal dhe qendror, ndalimi i punësimit në institucione publike në të gjitha nivelet, marrja e lejes së vozitjes e të gjitha kategorive, ndalimi i blerjes në ankande publike dhe shërbime të tjera dhe ndalimi i aplikimit si investitor strategjik dhe privilegje të tjera nga legjislacioni.
Po ashtu, Haxhiu ka thënë se për këto vepra do të shkurtohen afatet e gjykimit, ashtu që të njëjtat nuk do të zgjasin më shumë se një vit.
Sipas saj, për dhunuesit nuk do të ketë zbatim të zbutjes së dënimit, por vetëm masë të paraburgimit.
Të mërkurën, në një konferencë për media Haxhiu ka thënë se duhet që të merren masa më të ashpra ndëshkuese në lidhje me dhunën në familje dhe dhunimet seksuale, duke theksuar, “Nuk kemi jetë grash e vajzash për të humbur, duhet të bëjmë përpjekje për mbrojtjen e tyre”.
Haxhiu: Nuk kemi jetë grash e vajzash për të humbur, duhet të bëjmë përpjekje për mbrojtjen e tyre