Varhelyi prezanton Raportin e Progresit: Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave

Në raportin për Kosovën, komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, në fjalimin e tij ka theksuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, nga të dyja vendet kërkohet që t’i përmbushin të gjitha marrëveshjet e arritura më herët në dialog, ndërsa u kërkohet edhe angazhim urgjent për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse

Flamuj të Bashkimit Evropian





Të mërkurën e 12 tetorit, komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi ka prezantuar raportet e progresit për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë, ku ka theksuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe theksohet se ka një ndjenjë që Këshilli i BE-së të merret me urgjencë me këtë çështje.

Kosova në këtë raport vlerësohet për disa përparime që ka bërë në fusha të ndryshme, por prej saj kërkohet më shumë punë dhe progres në zbatimin e reformave.

Kosova, po ashtu, vlerësohet për përshtatjen me qëndrimet e BE-së ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi

Sa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, raporti kujton se ka pasur takime të rregullta në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve, ndërsa përmend edhe takimin më 18 gusht midis liderëve të të dyja shteteve.

Nga të dyja vendet kërkohet që t’i përmbushin të gjitha marrëveshjet e arritura më herët në dialog, ndërsa u kërkohet edhe angazhim urgjent për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, që do t’i normalizonte marrëdhëniet mes tyre.

Ndryshe, më 12 tetor, Kolegji i Komisionerëve Evropianë miratoi paketën vjetore të zgjerimit, ashtu si edhe raportet e progresit për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë.

Në paketën e zgjerimit, Komisioni Evropian vë fokusin në fushat që lidhen me procesin e integrimeve evropiane, siç janë: sundimi i ligjit, reformat e administratës dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Vend të veçantë zënë, po ashtu, ndikimet e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Paketa përmban edhe raportime për implementimin e planit evropian për investime në rajon, pastaj për situatën në sektorin e energjisë, për agjendën e gjelbër evropiane, për planet për prokurim të përbashkët të energjisë dhe për përshtatjen e këtyre vendeve me politikat e BE-së, sidomos në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë.

Komisioni Evropian miraton çdo vit paketën e zgjerimit dhe raportet e progresit për secilin nga vendet e përfshira në këtë proces.

Vendet e Ballkanit Perëndimor ndodhen në faza të ndryshme në procesin e zgjerimit.

Më së shumti përparim ka shënuar Mali i Zi, i cili i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave të anëtarësimit në BE.

Serbia pason si shtet që është në procesin e negociatave, por këtë vit nuk ka hapur deri më tash asnjë kapitull të ri.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë nisur negociatat në korrik, ndërsa Bosnje e Hercegovina ka kohë që ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe tash është në pritje të vendimit përfundimtar për statusin e vendit kandidat.

Kosova është i vetmi vend i rajonit të Ballkanit Perëndimor i cili nuk ka aplikuar ende për anëtarësim në BE.





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika