Gjermania konfirmon propozimet në dialog, diskutimet vazhdojnë

Qeveria e Gjermanisë ka konfirmuar se bashkë me Francën kanë bërë disa propozime për fatin përfundimtar të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Qeveria gjermane ka treguar se propozimet janë diskutuar në mënyrë konfidenciale, duke bërë të ditur se diskutimi mes tyre vazhdon





Një tjetër thirrje urgjente për marrëveshje përfundimtare u është bërë Kosovës dhe Serbisë nga Berlini.

Gjermania, njëra ndër shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, ka kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi t’i zgjidhin mospajtimet pa humbur kohë.

Qeveria gjermane ka konfirmuar për RTV Dukagjini se bashkë me presidencën franceze u kanë prezantuar palëve disa propozime.

“Është bindja jonë e fortë se çështjet politike në lidhje me rrugën drejt normalizimit të plotë duhet të trajtohen në një mënyrë më vendimtare dhe të shpejtë, në mënyrë që të mos ketë vend për përshkallëzim në terren. Në takimet e fundit të nivelit të lartë kjo është nënvizuar dhe propozimet për këtë qëllim janë diskutuar në mënyrë konfidenciale. Këto diskutime po vazhdojnë”, kanë treguar nga qeveria e Gjermanisë.

Nga angazhimi konkret franko-gjerman, kryeministri Albin Kurti ka thënë se akoma nuk ka diçka përfundimtare e aq më pak vendimtare.

Por, i pyetur se cila është përgjigja e tij ndaj qëndrimit publik gjerman të mërkurën, Kurti ka thënë se nuk ka propozim për marrëveshje përfundimtare.

Për intensifikimin e dialogut me Serbinë drejt një marrëveshjeje me njohje reciproke, Kurti ka folur edhe me sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken, mbrëmjen e së mërkurës.

Angazhimi i shtuar i sekretarit Blinken dhe konfirmimi gjerman për propozime konkrete, sipas analistit Artan Muhaxhiri janë dëshmi e presionit të jashtëzakonshëm për arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

“I gjithë konstalacioni, të gjitha kushtet, i gjithë konteksti është shumë i përshtatshëm. E kemi një administratë amerikane e cila ka njohuri për procesin, për Ballkanin dhe mund ta shfrytëzojë atë dije dhe përvojë të jashtëzakonshme që e ka nga e kaluara. E kemi një BE e cila ka shumë vullnet të merret me këtë punë. Në anën tjetër e kemi një Rusi e cila është jashtëzakonisht e dobësuar”, ka thënë Artan Muhaxhiti, analist.

Takimi i fundit ndërmjet kryeministrit kosovar, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq është mbajtur më 18 gusht, ndërsa akoma nuk është caktuar një datë për takimin e ardhshëm mes tyre.

 

 





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika