Këtë muaj është muaji i ndërgjegjësimit për sëmundjen e kancerit të gjirit, një sëmundje kjo shumë e përhapur, sidomos te gratë.
E në studion e Radio Dukagjinit, në kuadër të emisionit “Jeto” me Xheneta Asllanin, së bashku me psikologen klinike Merita Jusufi u diskutua shëndeti mendor tek pacientët që janë diagnostikuar me kancer të gjirit.
Psikologia deklaroi se secili person, pas diagnostikimit me kancer duhet kërkuar edhe ndihmë psikologjike, mirëpo kjo është një gjë që rrallë herë ndodhë tek ne. Kjo sipas Jusufit pasi në kulturën tonë, ne e kemi të vështirë të flasim për gjendjen emocionale, e kemi të vështirë të kërkojmë ndihmë psikologjike, dhe e kërkojmë vetëm atë mjekësore.
Jusufi theksoi se në diagnostikimet me kancer gjithmonë është i pranishëm stresi, një reagim psikologjik që na përgatitë të luftojmë ose të ikim, e ky stres duhet menagjuar me ndihmë dhe jo vetëm nga pacienti.
Psikologia shpjegon se një pacient i diagnostikuar me kancer tek ne, fokusin e ka vetëm tek kimoterapia, duke mos i dhënë rëndësi shëndetit mendor, por vetëm atij fizik.
Duke marrë parasysh faktin se në shumë raste diagnoza për kancer nuk i tregohet direkt pacientit por familjes, e këta të fundit e mbajnë të fshehur për një kohë, psikologia e cilësoi si një gabim. Sipas saj ky fakt nuk duhet fshehur, dhe të gjithë, pacienti dhe familja duhet të bëhen së bashku dhe ta diskutojnë këtë fakt, dhe veprimet e mëtutjeshme, pasi nuk duhet shmangur një situatë që tashmë ka ndodhur, por duhet të përballemi me të për të gjetur zgjidhjen më të mirë.
Një gjë tjetër për të cilën të gjithë duhet të ndërgjegjësohen, shton Jusufi, është frika për të shkuar tek mjeku për kontrolla, çofshin për kancer të gjirit apo sëmundje tjera, nga droja se mund të kenë një diagnozë të pafavorshme. Jusufi thotë se kontrollimi me kohë, çoftë edhe pa pasur fare simptoma jep mundësinë që të evitohen etapat më të vonshme të kancerit.
Jusufi deklaroi se duhet të kemi ndërgjegjësim më të madh të kujdesemi për shëndetin tonë fizik dhe mendor, pasi në kulturën tonë më shumë i kushtojmë rëndësi estetikës, sesa shëndetit.