Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po ankohet se gazetarët nuk janë duke e lënë të qetë as në ara.
“Teksa bisedonim me bujqit, gazetarja që na ndiqte nëpër ara po më pyeste me insistim për Lajçakun. Unë e pyeta traktoristin për Lajçakun, por ai tundi kokën e i dha gaz traktorit”, është ankuar Kurti.
Por kryeministri ka treguar se kur është koha ideale për të mbjellë arat.
“Pas korrje-shirjeve vjen mbjellja e re. Nga 5 deri me 30 tetor është koha ideale për drithërat. Këtë po e bën bujku Osman Osmani nga Mireshi i Gjilanit, i cili tash e tetë ditë po lavron, ku sivjet po i mbjellë 10 hektarë me grurë e 10 të tjera me misër”, ka shtuar ai.
Sipas tij, në vitin 2022 është rritur për 15.5 për qind sipërfaqja e mbjellë me grurë dhe për 91 për qind ajo me misër.
Krahasuar me 2021, ai ka thënë se përkrahja qeveritare për mbjelljen e grurit është rritur për 216 për qind për hektar, kurse për atë të misrit 119 për qind për hektar.