Populli i Ukrainës që i reziston pushtimit rus, themeluesi i WikiLeaks Julian Assange dhe Komisioni i së Vërtetës së Kolumbisë janë finalistët e këtij viti për Çmimin Sakharov për Lirinë e Mendimit, nderimi më i lartë i Bashkimit Evropian për mbrojtësit e të drejtave të njeriut.
Çmimi jepet çdo vit nga Parlamenti Evropian dhe vjen me një fond prej 50 mijë eurove.
Finalistët janë përzgjedhur nga eurodeputetët që janë pjesë e komisioneve për punët e jashtme dhe zhvillim, bazuar në një grup kandidatësh të ndryshëm të paraqitur nga grupet politike të parlamentit.
Kandidatura për “popullin e guximshëm të Ukrainës” u mbështet nga tre grupet kryesore, Partia Popullore Evropiane, Socialistët dhe Demokratët dhe Renew Europe, duke i dhënë asaj një avantazh të qartë ndaj dy finalistëve të tjerë, raporton euronews.
Nëse Ukraina fiton përfundimisht, çmimi do t’i dorëzohet në mënyrë simbolike Presidentit Volodymyr Zelenskyy së bashku me liderët e zgjedhur të vendit dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.
Ndryshe, fituesi do të shpallet javën e ardhshme dhe do të jepet zyrtarisht në seancën plenare të dhjetorit.