Analisti Imer Mushkolaj e ka cilësuar Qeverinë e Republikës së Kosovës, aktualisht Qeverinë Kurti sikurse më të përmbajturën që nga viti 2011.
I ftuar në Debat Plus të RTV Dukagjini, Mushkolaj ka thënë se çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ndër vite ka qenë një çështje e shfrytëzuar nga subjektet politike në kohën e fushatave.
“Qeveria aktuale është treguar shumë më e përmbajtur në raport me dhënien e datave, në krahasim me të kaluarën… Asnjë qeveri nga viti 2011 nuk ka qenë më me përmbajtur”, ka deklaruar Mushkolaj gjersa ka thënë se niveli ishte aq i ulët sa që me një çështje të tillë është luajtur ndër vite.
Krahas kësaj, sipas tij Qeveria e Kurtit është treguar e kujdesshme në të dhënit data dhe konkluzione pa mbaruar takimi në Bruksel.
Ndonëse një e tillë nxiti reagimin e Dardan Gashit, ky i fundit ka thënë se nuk kishte të bënte me një lojë por vetëm shtesë të kushteve.
“Ka pasur kushte të reja. Qeveria Kurti e ka gjetur të gatshëm procesin dhe prapë nuk ka arritur të bëj gjë”, ka thënë Gashi.
Ky i fundit ka thënë se çështja e sistemit ETIAS është një çështje e cila nuk ka të bëj me Kosovën.
Çfarë është ETIAS-i, çështja që po kushtëzon Kosovën për heqjen e vizave?
ETIAS apo ndryshe “Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit” është një program i krijuar nga Bashkimi Evropian me qëllim të mbrojtjes dhe forcimit të kufinjëve të tij.
Këshilli i Bashkimit Evropian ka propozuar që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e këtij sistemi. Një kërkesë e tillë erdhi nga Franca dhe e njëjta u mbështet edhe nga Belgjika, Suedia, Holanda dhe Spanja.