Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke qëndruar në Gjermani, ku po merr pjesë në kongresin e partive social-demokrate. Përveç takimit që ka pasur me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, kreu i Qeverisë së Kosovës është takuar edhe me kryeministrin e Spanjës, Pedro Sanchez.
Fotografinë për takimin me Sanchez, Kurti e ka publikuar në Twitter.
Spanja është ndër pesë vendet e Bashkimit Evropian që vazhdon akoma të mos e njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës, derisa së fundi i është bashkuar Francës sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, siç është raportuar, për ndërlidhjen e liberalizimit të vizave të Kosovës me funksionalizimin e sistemit ETIAS.
Congratulations to #StefanLoefven for his election as the new president of @PES_PSE! Thanks to @Bundeskanzler and @larsklingbeil for hosting a dinner and bringing us together to exchange on true social democratic values. It was good to meet @sanchezcastejon and @antoniocostapm! pic.twitter.com/KtPzAq1Pej
— Albin Kurti (@albinkurti) October 14, 2022
Përveç Spanjës, edhe Suedia, Belgjika e Holanda kanë të njëjtin qëndrim sikurse Franca.
Po ashtu, Kurti gjatë qëndrimit në Berlin ka takuar edhe kryeministrin e Portugalisë, Antonio Costa.
Sipas tij, në këtë kongres të partive socialdemokrate, me të cilat “Lëvizja Vetëvendosje është e afiliuar”, është diskutuar për politikat si përgjigje ndaj ndryshimeve në sigurinë ndërkombëtare, rritjen e çmimeve të energjisë dhe inflacionin, krizën e shkaktuar nga Covid, ndryshimet klimatike dhe sfidat sociale në Evropë.