Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri dhe deputetja Blerta Deliu-Kodra, në një konferencë për media të mbajtur sot (e shtune) më 15 tetor, i kanë kërkuar kryeministrit shkarkimin e Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Tahiri ka thënë se ministrja Hajdari ka bërë disa skandale të vazhdueshme për të cilat as nuk ka dhënë llogari as përgjegjësi. Ai ka thënë se një ministre e cila nuk e deklaron pasurinë, në krye të shumë skandaleve të tjera, duhet të shkarkohet.
“Në kodin e procedurës penale që ne kemi miratuar në Kuvend, parashihet suspendimi i zyrtarëve të lartë publik të cilët kanë aktakuza për krim të organizuar dhe korrupsion. Sot, Vetëvendosje e ka një ministre e cila ka aktakuzë për mos deklarimin e pasurisë, atëherë çfarë roli ka kodi i procedurës penale që ne e kemi miratuar? Kjo është e papranueshme”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka kërkuar nga Kryeministri Kurti që ta shkarkoj ministren deri të premten.
“Përndryshe, do të nisim një mocion përmbajtjesor në Kuvendin e Kosovës, ku do të kërkojmë përmes seancës votimin e një rezolute që i bën thirrje Kryeministrit ta shkarkoj Rozeta Hajdarin”, ka thënë Tahiri.
Ndërkaq, deputetja Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se ministrja Hajdari pas të gjitha këtyre skandaleve që i ka bërë gjatë kësaj periudhe, nga skandali i kompanisë ndërtimore që blen grurë, shkelja e fëmijës me veturë, promovimi i Kosovës në revistën francese si vend ku kanë lindur manastiret serbe dhe deri te mosdeklarimi i pasurisë duhet ta bindin Kryeministrin që ta shkarkoj atë.
“Ministrja Hajdari ka pasur skandale të panumërta dhe, së fundmi, ne kemi kërkuar ta shohim padinë të cilën thuhet se e kanë bërë ndaj revistës franceze. Ministria e udhëhequr nga Rozeta Hajdari ka thënë se kanë filluar proceduar për padi, por rezultate nuk kemi parë në lidhje me promovimin e Kosovës si vend ku lindën manastiret serbe. Pas të gjitha këtyre skandaleve, ajo duhet të shkarkohet nga Kryeministri”, ka thënë Deliu-Kodra.
Tahiri dhe Deliu kanë thënë se ky raport dëshmon edhe një herë paaftësinë e kësaj qeverie për tu marrë me problemet reale të qytetarëve të Kosovës.
Raporti ka evidentuar një numër të madh të problemeve me të cilat ballafaqohet vendi, me theks të veçantë dështimin e Qeverisë me shëndetësinë, lirinë e mediave dhe kritikat ndaj tyre, mungesën e vullnetit për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe performancën e dobët legjislative.
“Kjo Qeveri nuk ka shënuar progres në fuqizimin e gjyqësorit. Kjo tregon për paaftësinë e tyre në fuqizimin e sundimit të ligjit. Ndërkaq, nënvizohet mungesa e vullnetit nga Qeveria për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë Tahiri.
Më tej, ai ka thënë se është pikërisht kontributi i opozitës që ka bërë që raporti të jetë i kënaqshëm në disa fusha.
“Ne dallojmë shumë me mënyrën e të bërit opozitë me partinë në pushtet. Edhe si opozitë, kemi dhënë kontributin tonë në secilën mundësi për ti garantuar progres vendit. Prandaj, si Grup Parlamentar, ne i kemi dhënë mbështetje 30 marrëveshjeve ndërkombëtare, për dallim nga e kaluara e Vetëvendosjes. Për më tepër, si opozitë ne i kemi dhënë mbështetje Qeverisë edhe për Vetingun, çka e evidenton raporti i progresit”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka thënë se edhe në reformën zgjedhore, çka raporti e vlerëson si progres, është angazhim i PDK-së që ti japin mbështetje këtij procesi.
Ndërkaq, deputetja Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se sfidat e raportit për vendin janë të mëdha dhe, të njëjtat, do ti trajtojnë edhe në Kuvendin e Kosovës përmes një seance që do ta thërrasin.
“Raporti vërteton se nuk ka asnjë reformë të rëndësishme në aspiratën e Kosovës për integrim. Raporti vë theks në veprimet në lidhje me sundimin e ligjit, në reformat në Administratë Publike, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e deri te veprimet e mangëta për të luftuar informalitetin e ekonomisë. Shqetësuese mbetet edhe gjuha linçuese që është përdorur ndaj gazetarëve”, ka thënë Deliu-Kodra.
Ndërkaq, sa i përket punës së Kuvendit, Tahiri ka thënë se raporti thekson se ka një mazhorancë stabile në kuptimin e numrave, por të dobët në menaxhimin e tyre. Në fund, Tahiri ka komentuar edhe qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me raportin për vendin.
“Ajo ishte më shumë një konferencë për shtyp, ku Vetëvendosje mundohet ti jap mësim Bashkimit Evropian e kritika si ajo po e trajton Serbinë. Sesa që folën për raportin e progresit. Besoj që Bashkimi Evropian ka qenë i vëmendshëm për të marrë këshilla nga Vetëvendosje. Të arriturat që i përmendën ata, janë kryesisht legjislative të cilat shumicën i kemi mbështetë ne”, përfundoi Tahiri.