Ish-ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami për zëvëndësimin e orëve të humbura ka thënë se kjo e shtunë ishte ditë dështimi dhe nuk ishte ditë mësimi.
Bajrami ka thënë se shumica e nxënësve në Prishtinë nuk kanë shkuar në shkollë dhe se mësimi nuk është mbajtur sepse ka pasur mungesë të nxënësve.
“Nxënësit nuk përfillën urdhrin e ministres Nagavci. As kërcënimet se do t’i përdorë inspektorët për mbikëqyrur mbarëvajtjen e mësimit këtë të shtunë nuk funksionuan. Përgjegjësia për dështimin e mësimit është e ministres Nagavci, e cila hartoi kalendarin mësimor pa e pyetur askënd. As prindërit dhe as përfaqësuesit sindikalë të arsimit”, ka shkruar Bajrami.
Bajrami e ka konsideruar si të gabuar qasjen e partisë në pushtet kundrejt SBAShK-ut dhe fëmijëve. “Krejt çka dinë është shantazhi. Inatet i kanë me të mëdha se qëllimin”, ka shtuar ajo.
Ish-ministrja e Arsimit ka theksuar nevojën për dialog mes Qeverisë dhe SBAShK-ut për kompensimin e orëve të humbura.