Franca ka hapur hetimin për vrasjen pasi trupi i një vajze 12-vjeçare u gjet në një valixhe në afërsi të ndërtesës ku po jetonte. Viktima u gjet me disa të prera në fyt brenda një valixhe në lagjen e 19-të të kryeqytetit francez.
Babai i vajzës, i cili është kujdestar i ndërtesës ku u zhduk 12-vjeçarja, kishte filluar të shqetësohej kur vajza e vogël nuk arriti të kthehej në shtëpi pasi doli nga shkolla në orën 15 të së premtes.
Nëna e vajzës e raportoi zhdukjen e saj në stacionin e policisë lokale në rajonin e 19-të verilindor të kryeqytetit francez më vonë atë ditë.
Detektivët nisën me shpejtësi një hetim pasi u zbuluan shenja të rrëmbimit në bodrumin e shtëpisë së familjes, shkruan SkyNews.
Prindërit e 12-vjeçares u njoftuan për vdekjen e saj të shtunën në orën 2 të mëngjesit.
Pamjet e CCTV më pas treguan një grua jashtë ndërtesës duke mbajtur një valixhe, e cila më vonë u gjet disa rrugë më tutje në Rue d’Hautpoul me kufomën e vajzës brenda.
Katër persona janë aktualisht në paraburgim, por nuk dihet se për çfarë janë arrestuar. Mes tyre është edhe njeriu që lajmëroi policinë pasi zbuloi valixhen.
Prokuroria e Parisit ka hapur hetimin duke e cilësuar rastin si “vrasje e të miturës nën 15 vjeç”.