Tri raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës përgjatë 24-orëve të fundit në Kosovë.
Raporti 24-orësh i PK-së bën të ditur se, dy nga rastet kanë ndodhur në Fushë Kosovë dhe tjetri në Prishtinë.
Është arrestuar i dyshuari, mashkull kosovar, pasi ai ka sulmuar fizikisht prindërit e tij, pasditen e së shtunës në Fushë Kosovë. Krahas kësaj, bëhet e ditur se i dyshuari është dërguar në Klinikën e Psikiatrisë.
“Viktimave u është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari për shkak se ka probleme të shëndetit mendor është dërguar në Klinikën e Psikiatrisë”, thuhet në raport.
Mirëpo, ky nuk është i vetmi rast i ndodhur të shtunën në Fushë Kosovë.
Është arrestuar i dyshuari, mashkull kosovar, pasi ai pas një mosmarrëveshjeje, e kishte tërhequr bashkëshorten nga duart dhe i kishte kërkuar të dalë nga shtëpia.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi i njëjti pas një mosmarrëveshje e kishte tërhequr nga duart dhe i kishte kërkuar të dalë nga shtëpia bashkëshortes së tij, viktimës, femër kosovare. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.
Një sulm ndaj prindit është kryer edhe në Komunën e Prishtinës.
Është arrestuar i dyshuari, mashkull kosovar, pasi ai ka sulmuar fizikisht nënën e tij, e cila , pastaj ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.