Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) ka shfuqizuar vendimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) për transferimet e Agron Malokut në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH) dhe të tjerëve.
KPMSHCK me anë të një vendimi të marrë më 5 tetor të këtij viti, ka aprovuar ankesën e parashtruar nga ankuesit Agron Maloku, Maliqe Hashani-Qerimi, Ejup Kamberaj, Shani Hamitaga, Shkelzen Morina, Mybera Hyseni dhe Shqipe Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Me anë të këtij vendimi të KPMSHCK-së, janë shfuqizuar vendimet e MPJD-së për transferimet e të njëjtëve, duke kthyer çështjen në rishqyrtim dhe rivendosje të Komisionit të Ristrukturimit.
Tutje, në vendim thuhet se Komisioni i Ristrukturimit në MPJD obligohet që brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi, të rishqyrtojë çështjen e transferimit të ankuesve në pajtim me legjislacionin në fuqi.
Në vitin 2008, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, u themelua edhe Ministria e Punëve të Jashtme.
E që nga ajo kohë, pjesë e stafit të kësaj ministrie është edhe Agron Maloku. Ai ndër vite ka mbajtur edhe funksione të shumta brenda saj, e që së fundmi ka qenë edhe drejtor i departamentit të Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme në kuadër të MPJD-së.
Por, pos kësaj, ai ishte edhe Kryetar i Shoqatës Sindikale të Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm. Mirëpo, nëpërmjet një vendimi, Maloku ishte njoftuar se nuk do të jetë më pjesë e kësaj Ministrie dhe se do të është transferohej në atë të Shëndetësisë.
Në vendimin e Ministrisë, thuhet se ky transferim ishte bërë për arsye të riorganizimit të MPJD-së. Mirëpo, këtë e mohon Maloku, duke thënë se kjo është hakmarrje ndaj tij, për angazhimin sindikal.
“Nuk kam qenë i informuar asnjëherë për këtë transferim. E dyta, është hakmarrje. Vlerësoj dhe mendoj se mund të jetë kjo për faktin se unë jam edhe drejtues i sindikatës të antarëve të shërbimit të jashtëm”, ka thënë Agron Maloku, ish-zyrtar i MPJD-së.
Maloku, gjatë kohës si drejtor i departamentit të Buxhetit, tregon se nuk e nënshkroi edhe një kontratë për furnizim me vetura, me arsyetimin që kjo nuk ka pasur bazë ligjore.