Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, në lidhje me siç ka thënë mungesën e menaxhimit në sektorin e shëndetësisë.
Ai e ka përmendur ndërrimin e ministrave të këtij sektori, duke thënë se në dy vite qeverisje janë ndërruar dy ministra të këtij dikasteri.
“Jemi në vitin e dytë qeverisës po e presim ministrin e tretë të shëndetësisë, po e shohin këtë punë si eksperiment. E kanë një atdhe të dytë dikun, unë nuk e kam një atdhe të dytë. E kam fjalën për ministrin e shëndetësisë dhe për kryeministrin e Kosovës”, ka thënë ai.
“E kam fjalën për një ministër qe vjen dhe largohet dhe thotë e provova dhe s’ndodhi asgjë. Nuk mund të kalohet kaq thjesht. Po flas për një kryeministër që e ka një ministër të dytë që largohet dhe e pret të tretin dhe ka realizuar vetëm 4% të investimeve në shëndetësi”, ka vijuar Abdixhiku.
Abdixhiku, ka theksuar se lista e pritjes është deri në korrik të vitit 2023, teksa e ka kritikuar qeverinë, duke thënë se fondi i sigurimeve nuk është nisur ende dhe as sistemi i menaxhimit integrues.