Të frymosh me prezencën e kancerit në gji

“Ishin ditët kur plogështia po kaplonte çdo pjesë të trupit tim, po mundohesha të shkrija ato copëza akulli të cilat po i vendosja në trup për të zbehur dhimbjen, por isha gabim”, kështu fillon rrëfimi i një nëne të katër fëmijëve, e cila mposhti kancerin para 8 vjetësh, dhe ende qëndron e fortë sikur kjo sëmundje të mos kishte qenë asnjëherë prezente në trupin e saj

Foto ilustruese





Edhe sekondat tingëllojnë të gjatë në dhomën e klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Zëra të mposhtur nga sëmundja e qepalla të mbyllura, janë ato që i rrethojnë katër muret e kësaj dhome.

Ani pse të lodhur nga sëmundjet, pacientët në këtë hapësirë frymojnë pozitivitet.

Për kë?- për pacientët e rinj që i bashkohen asaj hapësire, që të mos mendojnë se jeta e tyre përfundon me një ofshamë. Jeta e tyre fillon pikërisht në momentin kur në korridoret e spitalit shohin pacientët më të vjetër, të cilët kanë mposhtur sëmundjen.

E në këtë muaj, edhe ata që nuk kanë kaluar në këto etapa të jetës, mishërohen me fatin e tyre. Bashkëndiejnë lotët e sfidave të triumfuara.

Sfidat si imuniteti i dobët, rënia e flokëve e operimi i gjinjve, janë ato që përveç si terapi shkatërruese të trupit, janë edhe terapi shkatërruese të shpirtit. Terapi që lodhin mendjen e zemrën, por që në fund plotësojnë zbrazëtitë.

Të jesh e shtrirë, duke parë vdekjen me sy

Ani pse me shumë sfida, kjo sëmundje nëse vërehet në fazë të hershme mund të ketë sukses.

S.H, një paciente, nënë e katër fëmijëve mposhti kancerin vetëm duke e diagnostikuar atë shumë herët.

Po qëndroj ballë për ballë me këtë nënë e cila vendosi të shpalosë një pjesë të jetës së saj e cila do t’i mbetet gjatë në mendje.

“Ishin ditët kur plogështia po kaplonte çdo pjesë të trupit tim, po mundohesha t’i shkrija ato copëza akulli, të cilat po i vendosja në trup për të zbehur dhimbjen, por isha gabim”.

Ndër lot, ajo rrëfen se kishte të njëjtën ndjenjë dobësie sikur po e shtrëngonte diçka e fortë në gjoks dhe po e ngulfaste.

Ajo nuk po përballonte më ushqimet e preferuara me ato erëzat pikante, sepse po e shkatërronin.

Gjithçka ishte ndryshe, kur mbi kokën e saj pa një mjek shtatlartë, i cili po vendoste një mjet detektues mbi gjoksin e saj, duke e vërenjtur fytyrën sikur nuk ishte gjithçka në rregull.

“Më tha se duhet të bëhesh e fortë, ke një tumor që është në fazën e hershme dhe nëse vepron sipas terapive, do ta kalosh.”

Ashtu edhe i ndodhi.

Pas mamografive të lodhshme, rënies së flokëve e pritjeve të gjata në rrezatime, ajo që 8 vjet qëndron e fortë sikurse asnjëherë nuk kishte pasur asgjë.

E këto zbrazëti i plotëson edhe personeli shëndetësor, ata që bashkëndiejnë çdo sfidë të pacientit.

Tetori rozë, muaji i ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit

Fotoilustrim- Tetori rozë

Për Portalin Dukagjini, ka rrëfyer përvojën e tij të punës onkologu në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Faton Sermaxhaj, i cili tregon se punën e tij e bën me përkushtim dhe vullnet të pashpjegueshëm. Sipas tij, kjo është ajo që pacientët që trajtohen nga kjo sëmundje kanë nevojë ta shohin, pra forcën dhe dëshirën për jetë në sytë e të tjerëve.

Faton Sermaxhaj, onkolog në QKUK

Sermaxhaj ka treguar se në QKUK shërbimet edhe këtë muaj ofrohen ngjashëm, pra falas për secilin pacient. Ai thotë se ka ndryshuar vetëm fakti se në këtë muaj aty po organizohen aktivitete, ligjërata dhe organizime të ndryshme, të cilat kanë për qëllim vetëdijësimin për trajtimin e kancerit të gjirit në kohën e duhur.

“Në Klinikën e Onkologjisë, sikur muajt e tjerë edhe këtë muaj kimioterapia, radioterapia, hormonoterapia, target terapia janë falas”, ka thënë ai.

Tutje, Sermaxhaj ka shtuar se mamografia ofrohet falas gjatë muajit tetor, muajit të ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit.

I pyetur për kushtet në këtë klinikë, ai ka thënë se ato janë të mira, me të gjitha mundësitë, por me mungesë të infermierëve, hapësirës spitalore dhe buxhetit për furnizim me barna.

“Klinika e Onkologjisë ka nevojë imediate për infermiere, për hapësirë, po ashtu ka nevojë për më tepër buxhet për barna, duke pasur parasysh avancimin e terapisë sistemike nga viti në vit. Pra, viteve të fundit terapia sistemike ka avancuar nga terapia konvencionale në imunoterapi (target terapi), e cila njëkohësisht ka një kosto shumë më të lartë në krahasim me terapinë konvencionale”, ka theksuar Sermaxhaj.

Shërbimet mjekësore në Kosovë

Klinika e Onkologjisë Mjekësore (QKUK)

Gjithashtu, punën e saj me dëshirë të plotë në klinikën e Onkologjisë po e ushtron tash e disa vjet edhe mjekja Sonja Blakaj, e cila punon si radioterapeute në këtë klinikë.

Radiologjia për personat me kancer të gjirit. Foto huazuar nga SHSKUK

Ajo është shprehur për Portalin Dukagjini se zbulimi i hershëm i sëmundjes së kancerit të gjirit është jetë, prandaj me qëllim që të shpëtojnë sa më shumë jetë dhe të ngrisin vetëdijësimin për këtë sëmundje, në këtë muaj mjekët e kësaj klinike së bashku me organizatën “Jeta Vita”, janë duke mbajtur ligjërata në vende të ndryshme.

Statistikat e siguruara nga Sonja Blakaj, e cila punon në klinikë, tregojnë se ka një numër të madh të të prekurve me kancer të gjirit, pasi deri më 1 tetor të këtij viti janë 292 raste të lajmëruara në QKUK, të cilat sipas saj, nuk janë ndryshe nga vitet paraprake.

Sipas saj, shqetësuese është numri i lartë, por ajo u bën thirrje të gjithëve për kujdes dhe trajtim koherent.

Po ashtu, ajo ka shtuar se është rritur interesimi për kontrolla në këtë muaj, dhe kjo ka ardhur falë mjeteve të informimit të organizuara nga mjekët e QKUK-së.

“Ky interesim për kontrollin e sëmundjes së kancerit të gjirit na ndihmon ne në luftën për të zbuluar sëmundjen më herët. Zbulimi i hershëm- Jetë”, është shprehur Blakaj.

Edhe Blakaj, theks të veçantë i jep mungesës së stafit. Sipas saj, për këtë problem janë të njoftuar edhe instancat më të mëdha.

Ndërkaq, e pyetur se çfarë ofrojnë për pacientët në këtë muaj të ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit, ajo u shpreh se mamografia ofrohet falas për pacientët, pasi shërbimet e tjera janë çdo muaj falas.

Ngjashëm sikurse onkologu, Faton Sermaxhaj është shprehur edhe onkologia, Sonja Blakaj, e cila thotë se me aq sa ka mundësi kushtet në QKUK janë të mira, vetëm se ngelet shqetësuese mungesa e medikamenteve për kimioterapi.

Fotoilustrim- Huazuar nga SHSKUK

“Ndonjëherë kemi mungesë të medikamenteve për trajtim të kimioterapisë, por në përgjithësi i mbulojmë disi shërbimet”, ka përfunduar Blakaj.

Të dy pjesëtarët e personelit mjekësor u kanë bërë thirrje qytetarëve që të kujdesen për veten, të lexojnë sa më shumë informacione për kancerin e gjirit, ta vizitojnë mjekun dhe ta zbulojnë sëmundjen më herët, pasi sipas tyre, sa më herët që zbulohet kanceri në gji aq më të mëdha janë mundësitë për shërimin e tij.

Po ashtu, edhe drejtori i Onkologjisë, Arben Bislimi, për Portalin Dukagjini, ka thënë se Klinika e Onkologjisë posedon dy salla te kimioterapisë dhe një të transfuzionit, pastaj shërbimi i Radioterapisë për trajtim me rreze për pacientët që kanë nevojë për trajtim paliativ dhe kurati dhe si e tillë, plotëson nevojat e vendit për trajtimin e të sëmurëve me këtë patologji.

Arben Bislimi, drejtor i Onkologjisë

Bislimi ka thënë se në bashkëpunim me disa shoqata, asociacione dhe korporata, janë planifikuar disa donacione në formë të gjoksoreve, parukeve dhe të tjera, si shenjë solidariteti dhe mbështetje me këta pacientë dhe familjarët e tyre.

Ndërkaq, për mjetet buxhetore, Ministria e Shëndetësisë për Portalin Dukagjini, ka theksuar se onkologjia është pjesë e përgjithshme e buxhetit të ShSKUK-së.

“MSh, si institucion politikbërës, harton ligje, strategji, programe për kancer dhe ka formuar bordin e ri, i cili është duke përgatitur programin e ri nacional për kontroll të kancerit”.

Diagnostikimi i hershëm i sëmundjes shpëton jetë

Sipas një doracaku të publikuar nga Instituti i Shëndetit Publik, njerëzit mund të dallojnë veten që janë në prag të prekjes nga kanceri i gjirit në mënyra të ndryshme si:

  • Në shumicën e rasteve shenja më e zakonshme e kancerit në gji është një nyjëz apo një kokërr e fortë gjatë prekjes, në gji apo nën sqetull.
  • Enjtje e një pjese apo e gjithë gjirit.
  • Irritim apo dëmtim i lëkurës së gjirit, apo trashje që ngjan me lëkurën e portokallit.
  • Gropëzim (kthim nga brenda) e thithit.
  • Skuqje apo zënie kore e thithit apo lëkurës së gjirit.
  • Rrjedhje nga gjiri, sidomos rrjedhje gjaku.
  • Dhimbje në gji apo në thithin e gjirit.
  • Si dhe çdo gjë tjetër që nuk duket normale.

Ndërkaq, lidhur me atë se kush është më i rrezikuar të preket nga kjo sëmundje, ky doracak shpjegon se në gjithë botën gratë preken më shumë nga kanceri i gjirit sesa burrat.

Por pse ndodh kjo, ka një mal me faktorë si; mosha- që zakonisht gratë mbi 50 vjeç janë më të rrezikuara, por nuk përjashtohen as moshat e reja.

Ndryshimet në gjene- që deri 10 për qind e kancerit të gjirit i prekin gratë për shkak të ndryshimeve apo defekteve gjenetike që mund të jenë të trashëguara.

Fillimi i hershëm i menstruacioneve- gratë që cikli menstrual u fillon para moshës 12 vjeç janë më të rrezikuara të preken nga kanceri i gjirit.

Pastaj faktorë të tjerë si, mungesa e aktivitetit fizik, shtatzënia në moshë të madhe apo moslindja e fëmijëve, të qenët mbipeshë pas menopauzës, fillimi i menopauzës pas moshës 55 vjeç, pirja e alkoolit apo duhanit dhe historitë familjare me kancer të gjirit.

Megjithatë, në vendin tonë shërbimet në Klinikën e Onkologjisë janë të mundshme dhe shumica e trajtimeve ofrohen falas në QKUK, kësisoj qytetarëve u mbetet vetëm pajisja me informacione për kancerin e gjirit dhe kujdesi për vetveten, dhe mënyra më e duhur për këtë është “vizita te mjeku”.





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika