Libri “Çështja e Kosovës në hapësirën publike të Francës” i akademikut Muhamedin Kullashit, përmban analizat, studimet dhe debatet mbi çështjen e Kosovës në hapësirën publike të Francës, në nivele të ndryshme të opinionit publik: në revista shkencore, në konferenca, në media, në qarqet shtetërore e politike, në Parlament dhe në Senat e njëherësh në mjedise të ndryshme të shoqërisë civile franceze.
Për këtë libër do të diskutohet me vetë autorin e këtij libri, filozofin, akademik Muhamedin Kullashi, të marten e 18 tetorit me fillim nga ora 17:00 në “Qendrën për Edukim dhe Kulturë “LIBART”, respektivisht, në bibliotekën “Hivzi Sylejmani” në lagjen “Dardania” në Prishtinë.
Sa i përket këtij takimi ka folur për portalin Dukagjni, menaxheri i projekteve në organizatën joqeveritare për arsim dhe kulturë ETEA, Florent Kurtalani, i cili ka thënë se takimi me akademikun Muhamedin Kullashi do të jetë ngjarja e parë hapëse e edicionit të tretë të programit 2022/23 të Qendrës “LIBART”.
‘Takimi me akademikun Muhamedin Kullashi do të jetë ngjarja e parë hapëse e edicioni të tretë të programit 2022/23 të Qendrës ‘LIBART’. Edhe këtë vit programi i Qendrës ‘LIBART’ mëton të sjellë për studentët e studiuesit, lexuesit e vizituesit e bibliotekës dhe për të rinjtë dhe të gjithë të interesuarit në përgjithësi, ngjarje të vlefshme nga bota e literaturës, dijeve sociale, filmit e muzikës”, ka thënë Kurtalani.
Ai ka bërë të ditur se “Programi i qendrës ‘LIBART’ drejtohet nga Organizata ETEA, mundësohet nga mbështetja e Komunës së Prishtinës dhe nga bashkëpunimi me Bibliotekën ‘Hivzi Sulejmani’ në të cilën zë vend edhe fizikisht lokacioni i Qendrës ‘LIBART’”.
Ndërkaq, Kurtalani ka treguar edhe sa i përket vullnetit dhe mbështetjes nga ana e institucioneve të Kosovës i eventeve të tilla, si takimi me filozofin Kullashi.
“Kur mbështetja institucionale nuk e arrin nivelin e vullnetit për organizime e krjime, ngjarjet e tilla kulturore arrijnë të e gjejnë shtegun e realizimit, por me shumë përpjekje e sakrifica. Në rastet e rralla kur mbështetja institucionale takohet me nevojat dhe vullnetin organizativ e krijues, ngjarjet kulturore realizohen më me lehtësi. Në rastin e edicionit të sivjetmë të Qendrës ‘LIBART’ mund të themi se më i lartë është vullneti i organizatorëve se sa mbështetja institucionale”, ka shtuar Kurtalani.
Rreth këtij takimi dhe bisede ka njoftuar edhe vetë Kullashi nëpërmjet një njoftimi në Facebook.
Ai ka ftuar të gjithë ata që janë të interesuar të dëgjojnë rreth librit “Çështja e Kosovës në hapësirën publike të Francës”
“Deshtja t’ju njoftojë e njëherit t’ju ftojë, nëse keni kohë të lirë: nesër (e martë, 18 tetor) nga ora 17 në Bibliotekën “Hivzi Sylejmani”(Rruga Sadik Bekteshi) në Prishtinë do të mbahet një bisedë për librin tim “Çështja e Kosovës në hapësirën publike të Francës”(2021)”, ka shkruar Kullashi.
I gjithë ky takim do të jetë nën moderimin e studiuesit të filozofisë Zjarr Bujari, dhe gjithashtu, në kuadër të këtij diskutimi do të trajtohet edhe libri tjetër i Kullashit “Pushteti dhe dija te Michel Foucault”.
𝐃𝐢𝐬𝐚 𝐟𝐣𝐚𝐥ë 𝐩ë𝐫 𝐥𝐢𝐛𝐫𝐢𝐧:
Libri “Çështja e Kosovës në hapësirën publike të Francës” përmban analizat, studimet dhe debatet mbi çështjen e Kosovës në hapësirën publike të Francës, në nivele të ndryshme të opinionit publik: në revista shkencore, në konferenca shkencore, në media, në qarqet shtetërore e politike, në Parlament dhe në Senat e njëherësh në mjedise të ndryshme të shoqërisë civile franceze.
Periudha e studimit kapë ngjarjet midis viteve 1991-2001, ndërsa autori i botimit vetë është pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i analizave dhe debateve në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe në pasqyrimin e të vërtetës për Kosovën dhe shqiptarët në opinionin publik francez.
𝐃𝐢𝐬𝐚 𝐟𝐣𝐚𝐥ë 𝐩ë𝐫 𝐚𝐮𝐭𝐨𝐫𝐢𝐧:
Muhamedin Kullashi lindi në Pejë, me 29 nëntor 1949. Aty kreu shkollën fillore dhe gjimnazin. Në Fakultetin Filozofik të Zagrebit studioi filozofinë dhe letërsinë franceze. Nga viti 1974 deri më 1991 ligjëroi në Degën e Filozofisë dhe të Sociologjisë të Univerzitetit të Prishtinës. Me 1983, në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, mbrojti disertacionin e doktoranturës kushtuar koncepcionit të metafilozofisë të Henri Lefebvre-it.
Në vitin 1991 u dëbua nga Universiteti i Prishtinës, bashkë me kolegët tjerë shqiptarë, nga regjimi i atëhershëm serb. Nga viti 1992 ligjëron në Departamentin e Filozofisë në Universitetin Parisi 8. Në vitin 1994, pranë këtij universiteti, mbrojti Habilitimin për udhëheqjen e hulumtimeve shkencore (HDR) para jurisë të përbërë nga: Claude Lefort, Jacques Rancière, Gérard Raulet, Jacques Poulain dhe Michel Roux.
Në vitin 1992, mori pjesë në themelimin e Komitetit të Kosovës në Paris, pranë revistës Esprit, bashkë me intelektualët e shquar francezë Olivier Mongin, Antoine Garapon, Pierre Hasner, Pascal Bruckner, André Glucksmann, Véronique Nahoum-Grapp etj. Anëtarë nderi të këtij Komiteti ishin edhe filozofët Paul Ricoeur, Edgar Morin, Claude Lefort. Ky Komitet zhvilloi aktivitete në mbështetje të Kosovës deri në vitin 2015.
Nga viti 2008 deri në vitin 2016, ishte Ambasador i Kosovës në Francë. Në vitin 2012 u zgjodh anëtar aktiv i Akademisë evropiane të Shkencave dhe Arteve, me seli në Salzburg të Austrisë. Në vitin 2016, u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Botoi në revista shkencore të Prishtinës, Tiranës, Zagrebit, Beogradit, Romës, Parisit, Vienës, Madridit, Montrealit etj. Mori pjesë në një numër të madh konferencash shkencore në Francë, Belgjikë, Zvicër, Itali, Bullgari, Hungari, Kanada, Turqi, Tunizi, Argjentinë, Urugvaj etj. Mori pjesë në projekte hulumtuese kushtuar temave të ndryshme nga historia e filozofisë, etika dhe filozofia politike.
Kullashi është anëtar nderi i Shoqatës së Filozofëve të Kosovës, ku që nga viti 2014 participon në aktivitetet e shoqatës si me kumtesa, botime e ligjerata.