Këtë të martë është duke u mbajtur konferenca përgatitore për gjykim në rastin ku ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shala, po akuzohet për krime lufte nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS).
Mbrojtja e Shalës tha se është e vështirë të japin informata efektive, kur sipas tij prokuroria ende nuk e ka përfunduar nxjerrjen e materialeve.
Ai tha se të gjithë informacionin mund ta japë në publik.
“Dua ta them në publik se është e vështirë për ne të ju japim info efektive në lidhje me këtë çështje, në momentin kur prokuroria nuk e ka përfunduar ende nxjerrjen e materialeve të veta. Në publik mund të them se të gjithë informacionin do ta ndaj në seancë publike”, ka thënë ai.
Pas fjalës së tij, gjykatësja i kërkoi ati t’i japë informacionet në seancë private, ku ende janë duke vazhduar diskutimet.
Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge, dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton Betimi për Drejtësi.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si, ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.