Policia e Kosovës, gjatë një aksioni të saj në Komunën e Gjakovës, ka arritur t’i arrestojë pesë persona të cilët dyshohen se e kanë kryer veprën penale të fajdesë.
Kështu ka bërë të ditur për Rtv Dukagjinin drejtori i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta, i cili shtoi se dy të tjerë të dyshuar janë ende në kërkim.
Graishta theksoi se janë konfiskuar armë, 15 automjete dhe disa fletore shënimesh të cilat sipas tij lidhen me veprën penale.
Ai bëri të ditur se kanë prova të mjaftueshme për të proceduar drejt veprës penale të fajdesë.
“Kemi një aksion që ka filluar rreth orës 6:00 të mëngjesit. Deri tani kemi pesë persona të arrestuar, dy të tjerë janë në kërkim. Ajo që mund të konfirmojmë si pjesë e operacionit është se janë gjetur dëshmi të mjaftueshme dhe të nevojshme për të proceduar drejt veprës penale të fajdesë. Janë konfiskuar pesë armë të ndryshme, 15 automjete, 12 telefona dhe disa fletore shënimesh që lidhen me veprën penale”, thuhet në përgjigjen e Graishtes.