Themelues i KAEF-it, Dale Pfeiffer viziton Kosovën

Dale Pfeiffer, zyrtar i pensionuar amerikan, themelues i KAEF-it, Fondit kosovaro Amerikan për Arsim, gjatë vizitës së tij në Kosovë ka qenë i ftuar në emisionin "Radar" të Radio Dukagjinit me Edita Doli

Dale Pfeiffer, zyrtar i pensionuar amerikan, themelues i KAEF-it, Fondit kosovaro Amerikan për Arsim, dhe Edita Doli

Dale Pfeiffer, zyrtar i pensionuar amerikan, themelues i KAEF-it, Fondit kosovaro Amerikan për Arsim, gjatë bisedës në emisionin “Radar” me Edita Dolin, në Radio Dukagjini, tregoi për rëndësinë e këtij fondi i cili ndihmon në financimin e bursave për të rinjtë nga Kosova që t’i zhvillojnë studimet master në SHBA. Pfeiffer, kërkoi që KAEF të mbështetet edhe nga bizneset në mënyrë që të sigurohet shkollimi për gjeneratat e reja në vendin tonë.

Dale Pfeiffer, i cili në vitin 1999 ka qenë përgjegjës për vendosjen e programeve të USAID-it për ta ndihmuar popullin e Kosovës, si dhe në vitin 2002-2004 ka qenë udhëheqës i USAID-it në Kosovë, shprehet i lumtur për të arriturat e pasluftës në Kosovë.

“Kur kam ardhur për herë të parë në Kosovë, ende kishte tym nga bombardimet e vitit 1999. Në anën tjetër pash turma njerëzish të gëzuar e buzëqeshur që e shijonin lirinë. Puna ime në Kosovë ka qenë vullnetare dhe erdhi pasi më herët kisha parë tmerrin e luftës në Bosnjë. Sot kur shoh të arriturat ndjehem shumë i lumtur, pasi kosovarët janë njerëzit më të mirë që kam punuar ndonjëherë. E mira është se Kosova ka ndryshuar, por kosovarët jo”, u shpreh Pfeiffer.

Themeluesi i KAEF-it, Dale Pfeiffer, theksoi se do të ishte mirë që ky fond të mbështetet edhe nga bizneset në mënyrë që të sigurohet shkollimi i të rinjve në SHBA, por edhe ne si themelues të ndahemi të kënaqur me misionin tonë.

“Po mundohemi të ngremë fonde për KAEF-in, por njerëzit po hezitojnë. Ky fond po bënë punë të madhe, por jo edhe aq sa ne kemi dëshirë”, ka thënë Pfeiffer.

Dale Pfeiffer, ka një karrierë mbi 42 vjeçare, ku ka shërbyer në vende të ndryshme, në zhvillimin ekonomik, social dhe politik. Përveç shumë sukseseve gjatë misionit të tij në Kosovë, ai është posaçërisht krenar për themelimin e KAEF-it, Fondit Kosovaro Amerikan për Arsim, i cili fond deri tash i ka financuar bursat e mbi 100 të rinjve nga Kosova që t’i zhvillojnë studimet e tyre master në SHBA.

Këto ditë, Pfeiffer po qëndron në Kosovë për takime të ndryshme në përkrahje të fondit KAEF dhe bursave për të rinj.