Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën ka pritur në takim delegacionin e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit të Portugalisë, të kryesuar nga kryetari i këtij komisioni, Sergio Souza Pinto, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e Portugalisë dhënë Kosovës.
Siç njofton Presidenca, me delegacionin portugez, e para e vendit ka diskutuar për raportet ndërshtetërore dhe mbështetjen e Portugalisë për sa i takon procesit të liberalizimit të vizave dhe anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Sipas Osmanit, Komisioni Evropian ka rekomanduar heqjen e vizave për Kosovën, ngase Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret.
Prandaj, siç është shprehur ajo, vendimmarrja politike gjatë Presidencës Çeke është më se urgjente dhe hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave nuk duhet të mbetet peng i asnjë teknikaliteti.
Presidentja, më tutje, në takim më delegacionin portugez ka folur edhe për rëndësinë e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Sipas saj, anëtarësimi në këtë organizatë avancon liritë dhe të drejtat e njeriut. Në këtë kontekst, ajo ka falënderuar Portugalinë për mbështetjen e deritashme.
Në takim u shfaq gatishmëria e dyanshme për shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet të dyja parlamenteve, si në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, arsimit, turizmit dhe sfera të tjera të interesit të përbashkët.