Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka pritur të martën e 18 tetorit në takim Shefen Ekzekutive të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, Alice Albright, të cilën e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë amerikanë në fushën e energjisë.
Ministri Murati gjithashtu ka shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit, ndërsa në anën tjetër edhe drejtoresha Albright, u shpreh se një investim i tillë në Kosovë po bëhet në kohën e duhur, pasi sipas saj zhvillimet e fundit tregojnë se ka një krizë globale energjetike.
Në këtë takim Ministri Murati, ka theksuar se ministria që ai drejton mbetet e përkushtuar në mbështetjen e projektit Kompakt, i cili ka rëndësi për sektorin energjetik në vend.
Tutje, në postimin e Ministrisë së Financave thuhet se drejtoresha Albright ka shprehur gatishmëri të plotë për bashkëpunim të afërt drejt zbatimit sa më të shpejtë të marrëveshjes dhe ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së grave në fushën e energjisë.
“Znj.Albright shprehu gatishmëri të plotë për bashkëpunim të afërt drejt zbatimit sa më të shpejtë të marrëveshjes, dhe theksoi rëndësinë e përfshirjes së grave në fushën e energjisë, siç edhe parashihet me programin Kompakt”, thuhet në postim.
Vlen të theksohet se Programi Kompakt zbatohet në kuadër të marrrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit dhe kap një vlerë prej 236.7 milionë dollarë amerikan.