Brenda dyerve të hekurta të burgut thonë se dita zgjat më shumë.
Por, 120 të burgosurit që dënimin e vuajnë në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë, kanë gjetur shkas që orët e ditëve të burgut ti shfrytëzojnë duke punuar.
Të rënë ndesh me ligjin për vepra të ndryshme, por të përbashkët e kanë punën që e kryjnë sikur të ishin jashtë.
Kjo është zona e agrokulturës, aktualisht është duke u lavruar toka kultivuese, ku nga rendimentet e dalura nga këtu bëhet furnizimi i kuzhinës së institucionit por edhe qendrave të tjera të SHKK-së.
Kjo sasi e madhe patateve është vetëm një pjesë nga ajo që të burgosurit kanë punuar, për të pasur me çfarë të ushqehen për një kohë të gjatë.
Por përgatitjen e tyre edhe servimin e drekës çdo ditë e bëjnë të burgosur të tjerë.
Rreth 22 prej tyre janë të punësuar në kuzhinë, që kujdesen që asnjë i dënuar e askush nga stafi të mos mbes i uritur.
Pasi kanë përfunduar ndërrimin e paraditës në punët që u ngarkohen, të gjithë në radhë për një, presin të marrin ushqimin.
Pauza që u zgjat një orë përfundon, e të gjithë rikthehen në hapësirat ku punojnë.
Këto të gjitha janë vetura të Shërbimit Korrektues të Kosovës, e secila prej tyre ka nevojë për mjeshtër, ku këta të fundit janë edhe goxha profesionalë.
“Jemi tu e bo ndërrimin e ulës, punojë që një muaj”, është shprehur një nga të burgosurit.
“Me orar e kemi nga ora 9:00, jemi duke e rregullu motorrin që ishte blloku, jemi tu e montu motorrin e ri, shërbimet e tjera i bëjmë si serviset i ndërrojmë, gomat dhe filterat etj”, ka thënë një i burgosur tjetër.
Se janë të aftë për atë që e bëjnë e edhe te disiplinuar e thotë instruktori që i drejton.
“Ka prej tyre që vijnë nga jashtë, që kanë pas servisin e vetë ose kanë punu këtë zanat, por ka edhe të tjerë që zanatin e marrin këtu dhe dalin shumë të kënaqur, janë të sjellshëm, të disiplinuar”, ka thënë Pajtim Dedija, instruktor i Automekanikës.
Pak më tutje, salduesit e Smrekonicës kanë përfunduar disa dollapa, ku njëri prej tyre këtë të marte do të niset për në një stacion policor si donacion nga kjo qendër.
I burgosuri i rradhës është shprehur se, ” Është punë e lehtë, sot kena punu disa meremetime me mbajtëset e luleve, shumë më mirë është kur je i angazhuar në punë sesa me qëndru gjithë kohën vetëm brenda mbyllur”.
Nga 120 që janë brenda, 100 prej këtyre të dënuarve janë të punësuar brenda burgut.
“Ekipi multiprofesional, bën vlerësimin e tyre edhe shpërndarjen e tyre sipas rrezikshmërisë, edhe profesionit që kanë. Paraprakisht e marrim parasysh profesionin e tyre, të kalumën e tyre cka kanë punu në jetë private edhe i sistemojmë”, ka thënë Agron Thaqi, mbikqyrës i lartë i sigurisë.
E burgu i hapur i Smrekonicës, që është i vetmi i këtij lloji në Kosovë përveç aktiviteteve të punës, numëron edhe një sërë aktivitetesh të tjera.
“Egziston një objekt i vecantë, ku bëhen aktivitetet rehabilituese, për të dënuarit, kemi sallën për lojërat e shahut, pastaj e kemi sallën e fitnesit, kemi bibliotekën, kemi edhe sallën e takimeve ku trajnohen të dënuarit”, ka thënë Sokol Rexha, zyrtar i lartë i njësisë ekonomike.
Madje, të dënuarve që kanë sjellje të mira dhe i plotësojnë kushtet e caktuar, u takon edhe pushimi i vikendit.
I tillë është edhe një rast kur dy të dënuar kanë marrë gjësendet e tyre, dhe dy ditët e ardhshme do ti kalojnë në shtëpi.