Nga 26 marsi deri me 29 mars të vitit 1999, 33 shqiptarë u ekzekutuan mizorisht në lagjen “KRISTAL” të Pejës.
Krimet i kryen forcat serbe, ndërsa drejtësia për ta nuk ka shkuar asnjëherë në vend.
Tani kur kanë kaluar 23 vjet nga kryerja e këtij krimi, është arrestuar një i dyshuar.
Bëhet fjalë për serbin Stavo Stefanoviq, i cili në bazë të një fletëarresti ndërkombëtarë u kap në Budapest të Hungarisë.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë Prokuroria Speciale, përmes një njoftimi për media.
Këto krime për të cilat dyshohet Stevanoviqm i mban mend shumë mirë dëshmitari Haki Lajqi.
Ai thotë se iu gëzua lajmit për arrestimin e të dyshuarit, por në mendje i ktheu shumë kohë të vështira.
“Unë kur dëgjova isha i kënaqur, por ma ktheu atë ditën e masakrës së rrugës Kristal. 33 persona janë ekzekutu në mënyrën më barbare”, ka thënë Haki Lajqi, dëshmitar.
Lajqi ka treguar se ata që i kryen krimet, ishin fqinjë të tyre në lagjen Kristal.
“Ata kanë qenë serb të kësaj lagje. Këtu afër ka qenë njëri, ai ka qenë dorë e zezë, komandant i dorës së zezë. Emrin tash nuk mund t’ia dij sepse kanë kaluar shumë vite, por unë jam i kënaqur, shpresoj që drejtësia arrihet në Kosovë e jashtë Kosovë, këtu dënohet, e jo me u dënu tjetër kund”, ka thënë dëshmitari Lajqi.
Ndërkohë, në rastin e njëjtë, përveç Stevanoviq, të arrestuar janë edhe dy të afërt të tij.
Mediat në Hungari kanë raportuar se është duke u shqyrtuar ekstradimi i tij në Kosovë.
Megjithatë, ministria e Drejtësisë në Kosovë nuk i është përgjigjur gjatë ditës Televizionit Dukagjini, në lidhje me procedurat që do t’i ndjekin në këtë rast.
Ektradimi i Stevanoviq në Kosovë, avokati Ylli Zekaj tregon se mund të ndodhë shpejtë, në rast se institucionet ndërmarrin veprimet me kohë.
“Shpresojmë që ministria e Drejtësisë me procedurë urgjente do t’i përfundoj punët e saj në drejtim të kompletimit të dosjes së ekstradimit dhe gjithashtu që më pas ministria e drejtësisë në Hungari dhe Gjykata kompetente ta lejojnë ekstradimin dhe ta kemi sa më shpejtë që është e mundur pesonin e dyshuar para organeve të drejtësisë”, ka thënë Ylli Zekaj, avokat.
Në gjithë këtë rast është i përfshirë edhe misioni i UNMIK-ut në Kosovë.
Përmes një përgjigje me shkrim për RTV Dukagjinin, nga ky mekanizëm ndërkombëtarë kanë bërë me dije se në raste të tilla shërbejnë si ndërlidhës.
“UNMIK-u nuk mund t’i komentoj rastet individuale. Në përputhje me rolin e UNMIK-ut sipas Rezolutës 1244, të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në vitin 2002, UNMIK-u hyri në një Memorandum Mirëkuptimi me INTERPOL-in. Prandaj, UNMIK vepron si ndërlidhës ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe INTERPOL-it, për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me parandalimin e krimit, bashkëpunimin policor dhe drejtësinë penale”, ka thënë zëdhënësi i UNMIK-ut, Sanam Dolatshahi.
Hetimet dhe gjykimet e Krimeve të Luftës në Kosovë, vazhdojnë të mbesin një prej çështjeve më komplekse edhe për faktin se shumë të dyshuar fshihen jashtë territorit të Kosovës, kryesisht në Serbi.