Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se inflacioni për produktet ushqimore po i dëmton qytetarët.
Ai nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ka kërkuar heqjen e TVSH-së për produktet ushqimore, duke thënë se heqja e TVSH-së për produkte elementare nuk dëmton buxhetin e Kosovës.
“Heqja e TVSH-së lehtëson dukshëm përballueshmërinë e kosovarëve në këtë krizë të paprecedentë”.
Sipas tij, çmimi i produkteve esenciale në Kosovë në njëzet muajt e fundit është rritur plot 50 për qind.
“Çmimi i miellit, vajit, bukës, qumështit, vezëve, domateve, patateve, orizit, fasuleve, sheqerit, naftës, benzinës e energjisë elektrike, është rritur për plot 50 për qind në njëzet muajt e fundit”, ka shkruar ai.
Po ashtu, ai ka shkruar se çfarë është blerë me 100 euro në fillim të vitit të shkuar, duhet të blihet me 150 euro sot.
“Këto nuk janë produkte luksi, e as të zëvendësueshme s’janë. Janë pjesë thelbësore e shpenzimeve mujore për çdo familje në vend”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.
Gjithashtu, ai ka thënë se ky propozim i LDK-së është që nga marsi i vitit 2022.