Në muajin tetor, që ndryshe njihet si muaji rozë, muaji i ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit po mbahen aktivitete e iniciativa të ndryshme që ndihmojnë në rritjen e vetëdijes, zbulimin dhe trajtimin e hershëm, si dhe kujdesin për këtë sëmundje.
Edhe emisioni “Radar” me Edita Doli në Radio Dukagjini, gjatë gjithë muajit ka kontribuuar në forma të ndryshme, si në vetëdijesimin e shoqërisë, por edhe ka ofruar ndihmë për disa raste në sigurimin e barnave dhe të protezave.
Të mërkurën e 19 tetorit, në studio ishte Sala Vishesella, një 67 vjeçare nga Komuna e Lipjanit, e cila që nga viti 2019 lufton me sëmundjen e kancerit.
Asaj i është dhuruar një protezë nga emisioni “Radar”, e me këtë rast ajo tregoi edhe për vështirësitë dhe sfidat që sjell kjo sëmundje.
“Herëherë ka mungesë të barnave edhe në QKUK dhe kjo na bënë që ne vet t’i sigurojmë ato, pavarësisht se ato janë me çmime të larta dhe kushtet nuk janë të mira. Por, shërimin e kësaj sëmundje nuk e bëjnë vetëm barnat, por e bëjnë edhe fjalët e mira, mbështetja nga familja e shoqëria. Kanceri shërohet veq me fjalë të mira”, ka thënë Vishesella.
Në studio ishte edhe Lorinda Kolgeci, e cila humbi nënën nga sëmundja e kancerit, ku ka rrëfyer për vështirësitë nëpër të cilën kaluan si familje.
Ajo ka thënë se duhet që e gjithë shoqëria të ngrejë zërin, të bëhemi bashkë për t’i dalë në ndihmë shumë pacientëve të cilët po përballen më këtë sëmundje.
“Diagnostikimi i hershëm, energjia pozitive, vullneti i mirë janë kryesoret për të mposhtur këtë sëmundje”, ka thënë Kolgeci.
Kanceri i gjirit, është sëmundje që merr jetën e miliona grave kudo në botë.
Statistikat tregojnë se përhapja e kancerit të gjirit është 1 në 8 femra.
Zbulimi i hershëm është kura më efektive për kancerin e gjirit.